Shkëlqim perandorak me stil modern - Me Muzeumin Bode rihapet ambienti i fundit në ishullin muzeal në Berlin
17 Tetor 2006Mozaikë bizantinë, buste të renesansës italiane dhe skulptura barok prezantohen me një shkëlqim të ri. Në këtë mënyrë ishulli muzeal, si një nga veprat e trashëgimisë kulturore botërore, është sërish i hapur për vizitorët duke filluar nga 19 tetori, ndërsa të martën (17.10) organizohet inagurimi me të ftuar. Në galerinë kombëtare ekspozohen piktura të spikatura të kohës së re deri në modernen e hershme, muzeu Pergamon prezanton artin dhe arkitekturën antike, ndërsa në muzeun Bode ekspozohet koleksioni më i madh i skulpturave në Evropë.
Një gjë është e qartë: rihapja e muzeut Bode në ishullin muzeal të Berlinit është një gjë e mrekullueshme. Më në fund publikut mund t´i prezantohet bërthama e "fondacionit prusian të pasurisë kulturore", që përmbledh koleksionet e skulpturave bizantine, romane, të renesansës e barrokut si dhe vepra klasike. Ky fond prej më shumë se 67 vjetësh nuk mund të shihej për shkak të luftës dhe dëmeve të luftës. Arne Efenberger, drejtor i koleksionit të skulpturave dhe i zoti muzeumit Bode është krenar për këtë ambjent të ri: "Ne kemi një koleksion gjigand skulpturash. Ky është koleksioni më i madh në Evropë. Ne ekspozojmë më të mirën e të mirave, gjë që i tërheq dhe i mrekullon vizitorët, por pa u marrë frymën atyre dhe pa i mbingarkuar."
Plot eufori është shkruar kohët e fundit në shtyp dhe në media për këtë kompleks muzeal. Muzeu Bode ka qenë i mbyllur për shtatë vjet resht. Pesë vjet kanë zgjatur punimet e restaurimit. 152 milionë euro janë shpenzuar për punime nga më të imtat të kryera me zell e në çdo detaj. Por pavarësisht nga entuziazmi dhe euforia ka vend edhe për kritikë. Gjatë pesë viteve të restaurimit janë bërë shumë punime që kanë qenë ndesh me njëra-tjetrën. Diçka e planifikuar në konceptin filletsar është ndryshuar duke bërë kompromise të nxituara. Fillimisht ishte planifikuar, që në brendësi të ndërtesës të përdorej stili modern arkitektonik duke lënë të dukshme muret e betonit, përzierien berlineze mes kalsiçizmit perandorak dhe dëmeve reale të luftës si dhe të renë demokratike. Por kjo ide e arkitektit Heinz Tezar është zhdukur pa lënë gjrumë, falë drejtorit të muzeut Arne Efenberger, të cilit nuk i pëleqente një gjë e tillë: "Ajo që ofronte arkitektura moderne ishte aq e rëndomtë sa mund ta bësh kudo dhe kurdoherë. Një aeroport dhe nje qendër tregtare apo sallë koncerti të gjitha këto i ngjajnë njëra-tjetrës. E të tilla konstrukte të vijnë ndonjëherë në majë të hundës."
Por çfarë është realizuar tani? As ideja e konceptit të vjetër romantik të drejtorit të parë të këtij muzeu që i ka dhënë edhe emrin, Bode, nuk është ringjallur. Bode pat krijuar "sallat epokale" për skulpturat e tij, secilës vepër në tërësinë kohore i përshtateshin ngjyrat, dyshemeja, muret dhe portat e korridoreve. Këtyre u përshtateshin edhe mobiljet dhe pikturat si një skenë për skulpturën. Sot s´ka mbetur asgjë prej kësaj. Në ekspozitë dominojnë sot salla ekspozimi në ngjyra të zbehta nga e gjelbra tek bezha dhe me pak objkekte të prezantuara. Ndërkohë që galeria e vjetër kombëtare në fqinjësi të drejtpërdrejtë është konceptuar shumë më e larmishme. Nëpër korridoret dhe sallat e muzeut Bode vizitori mund të ngatërrohet. Mungon një akses kronologjik sipas epokave. E gjitha është disi konfuzionuese. Publikut modern, që nuk ka shumë njohuri për zhanrin e skulpturës dhe emrat e mjeshtrave të vjetër, i mungojnë shpjegimet. Do të ish e udhës që objektet të ishin pajisur me tabelat përkatëse të përshkrimit, prej nga mund të mësohej diçka më me bazë për eksponatet. Eshtë e dyshimtë nëse do të mund të ruhet intensiteti i valës së vizitorëve, duke pasur parasysh që në sallën e hyrjes së muzeut do të organizohen edhe veprimtari të ndryshme. Nëse nuk do të funksionojë arka muzen e kërcënon falimentimi. Në një rast të tillë muzeu Bode duhej të ndryshonte destinacionin duke prezantuar ekspozitat më të mira berlineze të artit ose pikturat e galerisë së vjetër.