Shkurt nga bota e ekonomisë
19 Nëntor 2004Phil Knight, themeluesi i firmës NIKE, prodhuesit më të madh të atleteve në botë, dha dorëheqjen si president i kësaj firme. 66-vjeçari do të vazhdojë të mbajë vetëm postin e drejtorit të këshillit administrativ të firmës. Shkaqe për dorëheqjen e cila hyn në fuqi më 28 dhjetor nuk u dhanë.
Drejtori i FMN-së Rodrigo Rato, tërhoqi vëmendjen që shtetet të mos qëndrojnë pasive në rastin e pabarazive ekonomike si dhe kundrejt rënies së dollarit. Në një intervistë Rato u shpreh se qeveritë ose duhet të reagojnë duke ndërmarrë ndryshime në politikën e tyre, ose duhet t'ua lënë problemet në dorë forcave të ekonomisë së tregut gjë që, do të ishte më e rrezikshme dhe shumë më e shtrenjtë. Drejtori i FMN-së theksoi gjithashtu që SHBA-tu duhet të përshpejtojnë uljen e dificitit të tyre buxhetor, kurse Evropa duhet të nxisë rritjen e saj ekonomike.
Këshilli i Bankës Qendrore Evropiane vendosi që edhe në të ardhmen të mos emetojë kartmonedha dy-euroshe. Emetimi i kartmonedhave të tilla nuk është i nevojshëm, dhe prodhimi i tyre do të ishte tepër i shtrenjtë, theksuan anëtarët e Këshillit të Bankës Qendrore Evropiane me seli në Frankfurt.