„Shenzhou 8“ - Kina dhe Gjermania nisin së bashku një anije kozmike
3 Nëntor 2011Ishte ky një start shumë i suksesshëm. Në ora 5:58 minuta, sipas kohës lokale, raketa bartëse e tipit "Langer Marsch", u nis nga stacioni për anije kozmike buzë shkretëtirës Gobi. Mbi vete kishte anijen kozmike „Shenzhou 8“, të cilën do ta dërgonte deri në gjithësi. 12 minuta më vonë, në qendrën e kontrollit u bë publik edhe lajmi: gjithshka është në rregull! Të pranishmit ishin shumë të kënaqur.
Të praniëshëm edhe gjermanët
Ndër ata që duartrokisnin në stacionin e anijeve kozmike ishte edhe një grup i ardhur nga Gjermania. Kjo për shkak se Kina ka bashkëpunuar në këtë projekt me Gjermaninë, me Qendrën për fluturime në ajër dhe gjithësi, me seli në Bon. Ishte kjo hera e parë që Kina bashkëpunon në projekte të këtilla me ndonjë vend tjetër. Për misionin „Shenzhou 8“ është zhvilluar një pajisje e veçantë zbulimesh e cila për 17 ditë do të sillet rreth tokës. Pajisja me emrin „Simbox“ duhet të kryejë 17 eksperimente biologjike dhe mjekësore, thotë Peter Preu nga Qendra në Bon.
„Brenda ka eksperimente të cilat kanë të bëjnë me sistemin imunologjik, ku studjohen qelizat që shkaktojnë sëmundjen e kancerit. Ka dhe eksperimene që merren me një sistem të vogël ekologjik me kërmillë dhe algë. Por ne këtu bëjmë studimin e proteineve“, tha ai.
Megjithatë, qëllimi i fluturimit të „Shenzhou 8“ është diçka tjetër - një eksperiment shumë më i vështirë. "Anija magjike", siç thuhet në gjuhën gjermane, brenda dy ditësh duhet t'i bashkangjitet sistemit kozmik „Tiangong 1“, i cili është në gjithësi prej më shumë se një muaji.
Kina pas SHBA-së dhe Rusisë, por...
Për amerikanët dhe rusët bashkimi i dy anijeve në gjithësi është një manovër e rëndomtë, që zhvillohen për një kohë shumë të gjatë. Për Kinën është ky një projekt i ri, thotë eksperti kinez Qi Faren.
„Kjo është teknologjia më e komplikuar që ekziston dhe me shumë rreziqe. Të dy anijet duhet të bashkohen dhe më vonë sërish të ndahen“, u shpreh ai.
Suksesi i një projekti të këtillë shërben si parakusht për planet e Kinës që të ndërtojë një stacion të vetin kozmik. Pekini shpreson që ky stacion të përfundojë deri në vitin 2020. Ndërsa Gjermania shpreson se deri atëherë me Kinën do të realizojë një bashkëpunim edhe më të ngushtë në gjithësi. Këto dy vende kanë krijuar në pranverë të këtij viti një komision të përbashkët për bashkëpunim në këtë sektor. Pajisja „Simbox“ në anijen „Shenzhou 8“ paraqet një fillim të mirë, pohon Peter Preu.
„Të dy palëve u hap një mundësi të re partneriteti për bashkëpunim në gjithësi. Ky partneritet u hap mundësinë ekspertëve gjermanë për fluturime të reja dhe nënvizon rolin udhëheqës të Gjermanisë në këtë sektor shkencor“, tha Preu.
Gjermania bashkëpunon në këtë sektor edhe me SHBA dhe Rusinë, në stacionin ndërkombëtar për gjithësi, ISS. Preu thotë se bashkëpunimi me Kinën nuk paraqet ndonjë konkurrencë e bashkëpunimit me SHBA-në dhe Rusinë. Por një është e qartë: në qoftë se stacioni ISS pas disa vitesh nxirret nga përdorimi, Kina do të mbetet shteti i vetëm me pozicione të këtilla në gjithësi.
Autor: Ruth Kirchner/Bahri Cani
Redaktoi: Angjelina Verbica