SHBA-të paralajmërojnë Korenë e Veriut
6 Tetor 2006Ditën e mërkurë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi për herë të parë konsultime mbi provat bërthamore të paralajmëruara nga Koreja e veriut. Vetë ajo i argumentoi provat me kërcënimin nga SHBA-të. Ndërsa pala amerikane ka reaguar në bisedimet e zhvilluara në Nju Jork me ashpërsi ndaj shantazhit të Koresë së veriut.
Ambasadori amerikan në OKB, Xhon Bolton kërkoi në takimin e Këshillit të sigurimit konsekuenca ndaj Koresë së Veriut: "Këshilli i sigurimit nuk mund të reagojë thjesht me një copë letër ndaj provokimeve të Phenjanit" -tha Bolton.
Uashingtoni synon një strategji të qartë në çështjen e Koresë së Veriut. Nuk ka nevojë më për publikime deklaratash, siç kërkon Tokio, ndërkohë që ekziston një rezolutë e qartë. Xhon Bolton është i sigurtë se: "Paralajmërimi i provave bërthamore është më shumë se xhelozi ndaj pasardhësit të mundshëm koreanojugor të Kofi Ananit, më shumë se lutje për vëmendje."
Megjithatë Amerika nuk shpreson me ndonjë veprim energjik të instancës më të lartë të OKB-s. Fajtore për këtë janë fuqitë e mëdha mbrojtëse të Koresë së veriut në Këshillin e Sigurimit, tha Bolton, duke ju adresuar kështu Pekinit, dhe duke zemëruar kolegun e tij në OKB, Vang Guangya që kundërpërgjigjet: "Sigurisht që unë jam dakord në shumë tema me mikun tim të mirë, Bolton, por ai u shpreh se ka mbrojtës në Këshillin e Sigurimit. Unë nuk e di se kë ka parasysh ai me këtë. Unë mendoj se për sjellje të keqe në këtë botë askush nuk do të mbrojë."
Këto tone jodiplomatike nuk janë tipike për përfaqësuesin kinez, ndërkohë që vetë Kina ka dhënë sinjale të qarta se do të ketë sanksione në rast kryerjes së provave bërthamore.
Megjithatë ambasadori i Kinës në OKB, Vang Guangya shton: "Kjo nuk është diçka mes Kinës dhe Koresë së Veriut. Po qe se lëvizin punët për mirë në mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve, atëherë do të kishte shumë pak dyshime në mes të dyja palëve dhe kjo do të çonte me siguri në rezultate më të mira."
Xhon Bolton nuk po e paraqet strategjinë e kërkuar. Ai dhe të 14 kolegët e tij, reagimin e tyre, pra një copë letër siç bën fjalë vetë Boltoni, ja kanë dërguar fillimisht ekspertëve. Këta duhet të këshillohen për gjashtë pika, të cilat shprehin shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare për provat e mundshme bërthamore, si rrezik për paqen botërore dhe i kërkojnë Koresë së Veriut të kthehet në tavolinën e bisedimeve.