SHBA ndërmjetësojnë në Lindjen e Afërt
25 Korrik 2006Qeveria amerikane la të kalojë kohë, përpara se të reagonte lidhur me sulmet e Izraelit në Liban. Fillimisht presidenti amerikan Bush e konfirmoi të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, me shpresë, se problemi i hisbollahut hiqet qafe në këtë mënyrë. Tani ministrja e jashtme amerikane Condoleeza rice shkon në rajon, por akoma nuk është dëgjuar një direktivë e qartë prej saj.
Biseda e parë e ministres së jashtme amerikane Rice në Jerusalem kaloi në atmosferë të këndshme dhe të çtensionuar. Homologja e saj izraelite, Tsipi Livni e kishte ftuar privatisht për darkë. Më parë në një takim të shkurtër me shtypin Condoleeza Rice ishte shprehur për një zgjidhje paqësore në Lindjen e Afërt. Bazë për këtë duhet të sherbejë rezoluta e OKB-së 1559. Ajo parashikon çarmatosjen e hisbollahut dhe marrjen e kontrollit në Jugun e Libanit nga ushtria e rregullt libaneze.
Sot Rice takohet me kryeministrin Ehud Olmert dhe ministrin e mbrojtjes Amir Peretz para se të vazhdojë udhëtimin për në Ramallah, ku do të takohet me presidentin e palestinezeve Mahmud Abaz. Condleeza Rice erdhi në Izrael nga Bejruti. Ajo beri dje një vizite të papritur në kryeqytetin libanez. Rrugës për në Izrael ajo përgënjeshtroi në bisede me gazetarë njoftimet, sipas të cilave qeveria amerikane do t´i japë Izraelit së paku edhe një javë kohë për vazhdimin e luftës.
Izraeli pret edhe me tej mbeshtetje nga SHBA në luftën kunder hisbollahut. Armëpushimi nuk është në moment në rendin e ditës, tha ministri Haim Ramon.
"Kontaktet diplomatike janë për ditën pas armëpushimit. Dhe nga ajo jemi disi larg. Ne nuk e kemi arritur akoma qëllimin tonë kryesor, që të dëbojmë hisbollahun deri në Litani, me qëllim që të mos ketë më pushtet, për të sulmuar Izraelin. Keshilloj që të dëgjohet çfarë thotë ministrja e jashtme amerikane: Ne nuk ndodhemi nën presionin e kohës. Ne do t´i arrijmë qëllimet me mjete ushtarake dhe diplomatike dhe së bashku kjo do të na çojë në fitore."
Megjithatë Izraeli i ka tkurrur tashmë dukshëm synimet e tij luftarake. Në qoftë se politikanët izraelitë në fillim flisnin se do ta shkatërronin krejtësisht hisbollahun, tani bëhet fjalë vetëm për të dëbuar luftëtaret e armatosur të hisbollahut nga pozicionet e tyre në Libanin e Jugut dhe për të evituar kërcënimin e Izraelit me raketa. Edhe stacionimi i një trupe ndërkombetare paqeje në kufirin Libanezo-izraelit nuk përjashtohet më, tha ambasadori i mëparshem në Gjermani Avi primor, në televizionin izraelit.
"Është e qartë, se ne nuk mund të shpartallojmë hisbollahun dhe për këtë nuk përpiqemi më. Ne e dimë edhe nëse duam ta mbajmë të lirë nga terroristet territorin në Libanin e Jugut, këtë duhet ta bëjmë ose ne, ose dikush tjetër. Por kjo nuk mund të jetë qeveria libaneze, sepse ajo është shumë e dobet dhe ushtria e saj është plot me njerëz të hisbollahut. Nuk duhet harruar as që shiitët përbëjnë 60% të popullsisë dhe prandaj na nevojitet një trupë luftarake, një trupë që nuk është polici."
Primor është sot këshilltar i ministrit izraelit të mbrojtjes Amir Peretz dhe mori pjesë në bisedimet me ministrin e jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier. Thelbi i trupës së huaj mund të ishte një kontigjent francez, ndoshta i mbështetur nga ushtarë gjermanë, tha ai.