SHBA do heqin Korenë nga lista e mbështetësve të terrorizmit
3 Shtator 2007Reklamë
Sipas informacioneve nga Koreja e Veriut Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta heqin vendin komunist nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin. Këtë e bëri të ditur agjencia koreanoveriore e lajmeve KCNA duke iu referuar ministrisë së jashtme në Penjan. Deri tani Shtetet e Bashkuara nuk janë shprehur në lidhje me këtë njoftim. Pas bisedimesh dyditëshe në Gjenevë me përfaqësues të Penjanit kreynegociatori amerikan Christopher Hill bëri të ditur dje se Koreja e Veriut do të bëjë publike deri në fund të vitit të gjithë veprimtarinë e vet bërthamore dhe do të mbyllë programin bërthamor. Raundi i ardhshëm i bisedimeve gjashtëpalëshe planifikohet të mbahet në mes të muajit në Kinë, ku do të sqarohen edhe hollësitë.