SHBA: Diplomaci e dështuar apo mundësi të kufizuara?
5 Gusht 2006Në fillim të javës që po përfundon, ministrja e jashtme amerikane Kondoliza Rajs u shpreh me optimizëm se ka shpresa që që këtë javë të arrihet armëpushimi në Liban. Por deri më tani luftimet vazhdojnë me ashpërsi. Zërat kritikë në SHBA pohojnë se manovrimet diplomatike të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme po duken se janë tepër të kufizuara.
Hera e fundit që SHBA morën pjesë në një mision paqeje të OKB-së në Liban është e regjistruar në vitin 1978. Pesë vjet më vonë në 1983 241 marinsa amerikanë të kësaj trupe ndërkombëtare u bënë viktimë e një sulmi vetvrasës. Kjo është një arsye që qeveria e Bushit refuzon pjesëmarrjen amerikane në një trupë të re të helmetave blu në Liban.
Por pa Shtetet e Bashkuara do të jetë gati e pamundur të vihet në jetë ky plan, shprehet Bill Durch, drejtori i "Peace Operations Programme" "Programi operacaionale i paqes" në Uashington.
"Po qe se kryesori nuk niset me turmën, atëherë refuzojnë edhe të tjerët. Do të ishte shumë e rëndësishme, që SHBA-të, edhe po qe se ato nuk do të përbëjnë pjesën kryesore në këtë trupë, të paktën të bëjnë të qartë që ato nuk janë në krye vetëm në frontin diplomatik, por se janë gati të marrin përsipër edhe një pjesë të rreziqeve."
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Xhon Bolton shpërndan gati përditë njoftime për përparimet e shënuara në përpjekjet për hartimin e një rezolute për Libanin në Këshillin e Sigurimit. Por Parisi dhe Uashingtoni ende nuk kanë rënë dakord për procedimin lidhur me një mandat të tillë. Shtojmë këtu që i njohuri për linjën e ashpër Xhon Bolton, për shumë nga diplomatët në Kombet e Bashkuara është sinjali i një shamije të kuqe, shprehet Ed Luck, ekspert në universitetin e Kolumbias: "Duket kështu, sikur taktikat e negociimit të Boltonit nuk po kane sukses, dhe se ai i ka izoluar Shtetet e Bashkuara."
Ekspertët e Lindjes së Mesme, si Bill Durch kujtojnë se trupa e paqes, e përbërë minimumi nga 10.000 deri në 20.000 ushtarë mund të ketë sukses vetëm atëherë kur të jenë përgatitur kushtet politike për përfundimin e konfliktit. Por pikërisht për këtë SHBA-ve ju mungojnë partnerët për bisedime, para së gjithash Siria dhe Irani, mbështetësit kryesorë të Hizbollahut.
"Çdo trupë paqeje që do të dërgohet në Liban, që nuk ka miratimin e Hizbollahut dhe që duhet të veprojë ende pa u krijuar bazamenti i zgjidhjes politike, duhet thënë se është e kërcënuar nga ai fat që pësoi trupa shumbëkombëshe e ndërhyrjes në vitin 1983."
Ish-ambasadori amerikan në Nato, Robert Hunter, lidhur me këtë shton:
Po qe se SHBA-të do të ishin të gatshme të negocionin me Iranin dhe Sirinë mbi sigurinë e tyre dhe t'u ofronin garancitë e duhura për këtë siguri, atëherë mund të kërkohej prej tyre që të hiqnin dorë nga mbështetja për hizbollahët."
Por për arritjen e një zgjidhjeje efektive për paqen, SHBA-ve ju mungojnë jo vetëm kontaktet, por edhe besueshmëria në kampin arab. Qeveria e Bushit shihet si mbështetëse e interesave izraelite dhe imazhi amerikan ka rënë në botën myslimane në mënyrë dramatike, më së voni me luftën në Irak.
Ish këshilltari i presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Klinton, Sandy Berger vëren: "Problemi është që mungon një fundament bazë. Kësaj qeveria amerikane i mungon arkitektura, me qëllim që të angazhohet me të vërtetë në Lindjen e Mesme."