SHBA dhe Gjermania - intensifikojnë kontaktet
5 Prill 2006Pas bisedimeve me Kondoliza Rajs ministri Frank-Valter Shtajnmajer ndonëse nuk arriti ndonjë sukses për lirimin e të burgosurit gjermano-turk, Murat Kurnaz, që mbahet qysh prej katër vjetësh në kampin e Guantanamos, deklaroi: "Ne përderisa deri tani nuk janë shpallur vendime të mëtejshme, kemi biseduar që të vazhdojmë të jemi në dialog për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Dialogu do të vazhdojë si në nivelin e ambasadave ashtu edhe në nivel ministrash."
Shtajnmajer u informua prej ministres së jashtme të SHBA, Kondoliza Rajs, që sapo ish kthyer nga Iraku, për gjendjen në këtë zonë të krizës. Përshtypja e tij nga këto bisedime ishte: "Sipas mendimit të kolegut tim britanik Xhek Strou dhe koleges amerikane, faktikisht ka shanse që pas bisedimeve me grupet e ndryshme etnike, së fundi të vihet në lëvizje puna për krijimin e qeverisë, që është shtyrë. Kjo është edhe pengesa më e madhe që duhet kapërcyer për avancimin e procesit të rindërtimit në Irak."
Lidhur me Iranin, ministri Shteinmajer propozoi që SHBA të hyjnë në bisedime direkte me Teheranin, por siç duket kjo nuk e ka entuziazmuar palën e ShBA: "Lidhur me këtë nuk kam marrë asnjë sinjal."
Përfytyrimi i bisedimeve direkte me Teheranin cënon një traumë amerikane që i ka rrënjët në vitin 1979, kur pak pas revolucionit islamist për muaj me radhë u mbajt e pushtuar ambasada amerikane në Teheran. Qysh atëherë nuk ka marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve.
Njëri prej qëllimeve të shpallura nga kancelarja Angela Merkel është, që të përmirësohen marrëdhëniet gjermano-amerikane. Të paktën intensiteti i bisedimeve bilaterale në nivel të lartë, dëshmon që ajo deri tani ia ka arritur pjesërisht këtij synimi. Ministri i jashtëm Frank-Valter Shteinmajer ishte i pari që vizitoi Uashingtonin ndër ministrat e tjerë të kabinetit që do ta pasojnë këtë në prag të vizitës që do të zhvillojë në maj në SHBA kancelarja Angela Merkel.
Shteinmajer u shpreh: "Jam i kënaqur që kontaktet mes qeverisë gjermane dhe asaj amerikane po zhvillohen me këto ritme. Unë vetë ndodhem për herë të dytë në Uashington dhe gjatë katër muajve të fundit jam takuar pesë herë me homologen amerikane, Rajs. Vetëm kjo dëshmon për intensifikimin e marrëdhënieve reciproke dhe për përpjekjen që po bëhet për të qenë të koordinuar ngushtë lidhur me çështjen e Iranit."