SHBA, BE dhe EJL mbështesin planin për pavarësinë e Kosovës
17 Maj 2007"Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqimishëm pavarësinë e Kosovës. Së bashku me partnerët evropianë kemi përgatitur një rezolutë, e cila po qarkullon në Këshillin e Sigurimit dhe për të cilën jemi të bindur se deri në fund të këtij muaji, do të çojë tek pavarësia e Kosovës".
Qëndrimi amerikan, i shprehur prej ndihmës sekretarit Nikollas Bërns, është shumë i qartë. Me fjalë të ngjashme këto ditë u shpreh edhe Sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza Rajs, e cila tha se Kosova do të jetë vend i pavarur dhe nuk do të kthehet nën pushtetin e Serbisë.
Planin e Marti Ahtisarit, për një pavarësi të mbikqyrur e mbështesin edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, dhe institucionet më të larta të tij. Ndonëse retorika e Brukselit është shumë më e moderuar. "Me 26 mars të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, i ka paraqitur Këshillit të Sigrimit një propozim gjithëpërfshirës për Kosovën. Mendoj se propozimi paraqet bazë të mirë, për një rezolutë e cila mund të ndihmojë zhvillimin dhe stabilitetin e tërë rajonit. Shpresoj se kjo edhe do të ndodhë", shprehet në emër të Presidencës së BE, kancelarja gjermane Angela Merkel.
Ndërsa presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Baroso pohon se zgjidhja e statusit të Kosovës është e një rëndësie vendimtare për rajonin dhe Evropën. "Vendet anëtare të Bashkimit Evropian e konsiderojnë planin e presidentit Ahtisari si real dhe një rrugë të mirë që çon përpara. Komisioni Evropian e mbështetë këtë plan fuqimishëm", pohon Baroso.
Planin e Ahtisarit e kanë mbështetur edhe shumica dërmuese e vendeve të Evropës Juglindore. Presidenti kroat Stjepan Mesiq thotë se arkitektura e Ballakanit ende nuk ka përfunduar. "Pas pavarësisë së Malit të Zi, duhet gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë edhe për statusin e Kosovës. Ndërkohë që Bosnje - Hercegovinës i duhet mundësuar të funksionojë si shtet modern dhe juridik", thotë presidenti ndërsa kryeministri kroat Ivo Sanader sugjeron: "Evropa ka nevojë për një Kosovë stabile, demokratike dhe të përgjegjshme. Një Kosovë ku të mbizotrojë shteti juridik dhe ku minoritetet të marrin pjesë në jetën politike. Ka nevojë për një Kosovë e cila do t'i kontribuojë stabilitetit dhe bashkëpunimit në këtë rajon. Propozimi i Ahtisarit ofron kornizën për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Por të gjithë ne kemi nevojë edhe për një qëndrim unik të bashkësisë ndërkombëtare", apelon Sanader.
Planin e Ahtisarit me fjalë të qarta e mbështesin Shqipëria dhe Maqedonia. Dy vendet ballkanike, të cilat më së shpeshti kanë shprehur rezerva ndaj këtij plani dhe pavarësisë së Kosovës, janë Rumania dhe Greqia. Megjithatë kryeministri i Rumanisë, Kalin Popesku Turiqeanu thotë se qëndrimi i Bukureshtit zyrtar nuk ndryshon prej vendeve tjera të BE. Ai pohon se brenda BE ekziston një qëndrim unik për Kosovën. Mirëpo Rumania ka dhe rezervat e veta. "Rumania është e brengosur për disa fakte: Së pari, nuk duam që çështja e Kosovës të përdoret si një precedencë për rajonet tjera me konflike. Dhe së dyti, nuk duam që zgjidhja e statusit të Kosovës të paraqet model që edhe minoritetet tjera të kërkojnë të drejta të ngjashme kolektive", pohon kryeministri Turiqeanu.
Ndërsa, kryeministri i Greqisë Konstantinos Karamanlis, është i vetmi kryemimnstër i rajonit i cili mendon se ende nuk ekziston mundësia e kompromisit mes palëve në konflikt. "Megjithë rezultatet dëshpëruese të bisedimeve të Vjenës, ne mendojmë se ende nuk janë shterruar të gjitha mundësitë për marrëveshje dhe kompromis mes palëve. Pas krijimit të qeverisë së re në Beograd, do të krijohen kushtet për vazhdimin e negociatave rreth disa aspekteve të propozimit. Marrëveshja duhet t'u mundësojë palëve të përballen me realitetit të ri dhe jo të krijojë fitues dhe humbës në rajon", pohon kryeministri grek, Karamanlis.