Serbët i kërkojnë serbëve të shkëpusin kontratat me UNMIK-un
24 Mars 2006Qendra Kordinuese Serbe për Kosovën, e udhëhequr nga Sanda Rashkoviq Iviq, ka urdhëruar serbët e Kosovës se deri më 24 mars të shkëpusin të gjitha kontratat e punës me administratën ndërkombëtare, të cilët marrin paga nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. Sanda Rashkoviq Iviq, thotë se vendimi i këtij mekanizmi që serbët e Kosovës të shkëpusin kontarat e punës me UNMIK-un, është marrë në përputhje me projektin për decentralizimin, i miratuar në Grupin Negociator serb.
Mirëpo udhëheqësi i partisë më të madhe serbe të Kosovës "Lista Serbe për Kosovë e Metohi", Oliver Ivanoviq, thotë për programin tonë se ky vendim i Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën do të ndikojë negativisht tek serbët e Kosovës dhe për pasojë do ta destabilizojë këtë bashkësi.
"Ky është një vendim plotësisht i pakuptimtë dhe shumë i ndjeshëm për momentin për faktin se bisedimet për zgjidhen e statusit të Kosovës janë duke u zhvilluar dhe serbët e Kosovës janë të shqetësuar se cili do të jetë rezultati i bisedave. Ky vendim, padyshim do ta destabilizojë bashkësinë serbe në Kosovë dhe shumë njërëz të cilët kanë pasur dilema se a do të qëndrojnë në Kosovë apo do të largohen nga Kosova ata tashmë mund të marrin vendim që ta lëshojnë Kosovën", tha Oliver Ivanoviq.
"Ne sigurisht që nuk do ta respektojmë këtë vendim sepse thashë, ne sapo kemi e dëgjuar dhe kemi konstatuar se ky është një vendim i pakuptimtë dhe para së gjithash ky vendim nuk është marrë nga qeveria e Serbisë. Qeveria e Serbisë duhet të konsultohet me Qendrën Kordinuese Serbe për Kosovën dhe duhet ta bëjë të qartë se ky vendim është shumë i rrezikshëm për ekzistencën e serbëve në Kosovë", tha Oliver Ivanoviq.
Vendimi i "Qendrës Kordinuese Serbe për Kosovën", sipas udhëheqëses së saj, Sanda Rashkoviq Iviq, duhet të hyjë në fuqi që nga disa e sotme. Ajo thotë se kjo çështje është diskutuar edhe në dy raundet e bisedave shqiptaro-serbe që u zhvilluan në Vjenë. Urdhëri parasheh, që kontratat duhet t’i shkëpusin të gjithë të punësuariit në arsim, shëndetësi dhe në pushtetin lokal që jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës. Pra sipas këtij urdhëri, pas gjashtë vitesh, serbët duhet të mbyllin kontot bankare dhe të heqin dorë nga paratë që i marrin nga UNMIK-u, përkatësisht nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.