Schütz: Gjermania me vëzhgues më 30 qershor
28 Qershor 2019Në prag të heshtjes zgjedhore që fillon të shtunën ( 29.06.2019) për zhvillimin e Lokaleve 2019 të dielën, më 30 qershor, delegacioni i BE dhe ambasadat e Gjermanisë, SHBA, Italisë dhe Britanisë së Madhe në Tiranë dhanë të premten (28.06) mesazhe të rëndësishme për të shmangur aktet e dhunës dhe siguruar një mjedis të qetë dhe paqësor që zgjedhësit qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
BE - 30 qershori ditë "votimesh” dhe jo "zgjedhjesh”
Delegacioni i BE në Tiranë, cilëson kështu të dielën, 30 qershorin dhe bën thirrje që qytetarët " të votojnë në mënyrë të rregullt dhe paqësore.
"Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen. Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese. Procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian,” thekson deklarata e BE në Tiranë.
BE bën thirrje për "dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t'i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian”.
Schütz - thirrje të gjitha palëve të pengojnë dhunën
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, në një deklaratën e saj jep mesazhe të rëndësishme për të gjitha palët, në prag të 30 qershorit.
"Duke patur parasysh zgjedhjet vendore të ditës së diel më 30 qershor u bëj thirrje të gjitha palëve të kontribojnë që të pengojnë ҫdo formë dhune. Është me rëndësi vendimtare që zgjedhjet të zhvillohen të lira. Në këtë kontekst ky është njeë obligim i veҫantë i partive opozitare, ” thekson në deklaratën e saj, ambasadorja gjermane në Tiranë. Ajo bën me dije se”Gjermania ka sjellë vëzhgues në Shqipëri vëzhgues, që do të vëzhgojnë proceset në kuadër të misionit të pavarur të OSBE/ODHIR-it”
Palët - gatishmëri për dialog
Ambasadorja Schütz u bëri gjithashtu thirrrje "gjithë palëve të tregojnë gadishmëri për dialog dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për vendin duke patur parasysh edhe situatën pas zgjedhjeve të 30 qershor . Në deklaratën e saj, amabsadorja gjermane ndalet edhe ne akuzat që " u referohen akteve kriminale në kuadrin e zgjedhjeve të kaluara." Ato duhet "të sqarohen në mënyrë të menjëhershme nga agjensitë e zbatimit të ligjit, sipas legjislacionit ne fuqi,” thekson Ambasadorja Schütz.
Në përfundim të deklaratës së saj Ambasadorja gjermane i kushton vëmendje ҫështjes së Gjykatës Kushtetuese." Për sqarimin e ҫështjeve së të drejtës kushtetuese, të mbetur apezull deri më tani, rëndësi vendimtare ka rivendosja e shpejtë në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese.”
SHBA- dhuna nuk është mënyrë legjitime e të shprehurit politik
Edhe Ambasada e SHBA në Tiranë u drejtoi të premten thirrje "të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente.”
"Nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë të gjitha llojet e dhunës dhe çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit.”
Deklarata e mbasadës Amerikane në Tiranë bën me dije se "Shtetet e Bashkuara do të kenë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë. Ne do të mbështetemi në raportin e OSBE/ODIHR-it për të vlerësuar rregullsinë e votimit”. Edhe në deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë, Gjykata Kushtetuese, është pjesë e mesazhit politik.
"Nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese, të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.
Italia- Dhuna absolutisht e papranueshme
Ambasada e Italisë në Tiranë iu bashkua deklaratës së Delegacionit të BE.
"Çdo veprim i dhunshëm ose çdo formë nxitjeje për dhunë, në çdo lloj rrethane, janë absolutisht të papranueshme. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese” theksohet në deklaratën e saj.
Ambasada e Italisë thekson gjithashtu rëndësinë parësore të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
"Në mënyrë që Shqipëria të përparojë në këtë rrugë, është e nevojshme që të gjitha palët të angazhohen në një dialog të hapur dhe të sinqertë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer situatën aktuale politike dhe për të realizuar reformat e nevojshme.
Deklarata u bën thirrje të gjitha palëve të mbështesin reformën e drejtësisë në vijim dhe fton të gjitha organet dhe institucionet e përfshira "të përshpejtojnë zbatimin e saj, veçanërisht duke garantuar emërime sa me të shpejta, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë plotësisht funksionale”.
Mbretëria e Bashkuar - Çdo formë nxitjeje e dhunës është e papranueshme
Në deklaratën e saj Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë i kushton vëmendje "të drejtës së qytetarëve për të votuar të dielën, më 30 qershor, në një mjedis paqësor dhe të sigurtë.”
" Çdo formë nxitjeje e dhunës është e papranueshme. Ne mbështesim misionin ndërkombëtar të udhëhequr nga ODIHR për të monitoruar procesin e votimit” thekson deklarata.