Sa orë në javë punojnë njerëzit në Evropë?
21 Maj 2025Njerëzit në Evropë punojnë sot më pak sesa dhjetë vjet më parë: Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga zyra e statistikave Eurostat në Luksemburg punonjësit me kohë të plotë dhe të pjesshme në vendet e BE-së punojnë mesatarisht 36 orë në javë; në vitin 2014 kjo mesatare ishte 37 orë. Pakësimi i orëve javore të punës duket se është një prirje afatgjatë. Në Gjermani sot punonjësit punojnë mesatarish 33.9 orë në javë, krahasuar me 35.7 orë dhjetë vjet më parë.
Megjithatë orët e punësjanë të shpërndara në mënyrë jo të barabartë. Kështu rreth tre të katërtat (74.6 përqind) e punonjësve në vendet e BE-së punojnë mesatarisht 40 deri në 44.5 orë në javë, madje 2.8 përqind punojnë edhe më shumë. Por sipas statistikave ka edhe 8.2 përqind që nuk punojnë fare. Në radhët e të vetëpunësuarve përqindja e atyre që punojnë 40 orë ose më shumë orë në javë është 80.8 përqind, pra më e lartë se përqindja përkatëse e personave të punësuar.
Grekët, heronj të punës
Dallime të konsiderueshme ekzistojnë gjithashtu edhe midis vendeve të ndryshme të BE-së. Më e shkurtër java e punës është në Holandë me 32.1 orë - e ndjekur nga Gjermania, Austria dhe Danimarka me 33.9 orë.
Kurse grekët punojnë 39.8 orë në javë, duke kryesuar listën, të ndjekur nga Bullgaria (39.0), Polonia (38.9) dhe Rumania (38.8).
Gjermani: 40 orë pune në javë
Megjithatë ndoshta së shpejti edhe në Gjermani njerëzve do t'u duhet të punojnë më shumë. Kancelari Friedrich Merz tha gjatë një konference ekonomike të parisë CDU se në Gjermani njerëzit duhet të punojmë më shumë dhe, mbi të gjitha, me më shumë efikasitet. Sipas tij "me një javë pune katër-ditore dhe ekuilibër midis punës dhe jetës personale, nuk do të jemi në gjendje ta ruajmë prosperitetin e këtij vendi”. Ai theksoi në marrëveshjen e koalicionit me SPD-në ishte rënë dakord që në Ligjin për Orarin e Punës të saknsionohen 40-orë pune në javë dhe që kjo duhet të zbatohet "shumë shpejt”.