Rusia thellon bashkëpunimin me Kinën
20 Maj 2014Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u takua në Shangai me kryetarin e shtetit dhe të partisë Xi Jinping. Sipas të dhënave të agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua, delegacionet e të dyja palëve nënshkruan në fillim të vizitës një numër "të madh" marrëveshjesh. Në fokus të këtyre marrëveshjeve është përfundimi i bisedimeve që vazhdojnë prej vitesh për marrëveshjen e re për gazin. Deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje mbi furnizimet ruse me gaz në Kinë, tha zëdhënësi i Putinit. Megjithatë në bisedime është avancuar, "vetëm se duhet punuar ende për çmimin". Sipas të dhënave të Igor Setshin, shef i koncernit të energjetikës Rosneft, ndërkohë po diskutohet për heqjen e doganave për importin e gazit. Kjo mund të shërbente si bazë për një kompromis.
Në prag të arritjes së marrëveshjes
Kina dhe Rusia negociojnë që prej rreth dy dekadash për këtë marrëveshje. Koncerni shtetëror rus i gazit, Gazprom, të dielën (18.05.2014)njoftoi, se është në prag të arritjes së marrëveshjes së furnizimit me gaz për një afat prej 30 vjetësh. Rusia do të furnizojë Kinën me 38 miliardë metër kub gaz në vit. Ndërkohë kjo sasi i përgjigjet një të katërtës së konsumit kinez.
Moska në kërkim të partnerëve të rinj
Vizita e Putinit në Kinë zhvillohet në sfondin e krizës në Ukrainë. SHBA-ja dhe BE-ja kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe kërcënojnë me masa të tjera shtrënguese. Bisedimet e Putinit me homologun kinez Xi konsiderohen si një shenjë në adresë të Perëndimit, që Moska po intensifikon përpjekjet për gjetjen e partnerëve të rinj. Ekspertët marrëveshjen e planifikuar për furnizmet me gaz në Kinë e vlerësojnë edhe një rast për Rusinë për ta minimizuar varësinë nga Europa, si një ndër tregjet kryesore të furnizmeve ruse me gaz. Në një intervistë për televizionin "Bloomberg" kryeministri i Rusisë, Dmitri Medvedev, tha se vendi i tij "ka mjaftueshëm rezerva" për të furnizuar me gaz si në Lindje edhe në Perëndim. Nëse nisemi nga "më e keqja" riorientimi i eksporteve të gazit nga Europa në Kinë "teorikisht" është i mundshëm.
Nënshkrimi i mbi 40 marrëveshjeve
Presidenti i Kinës Xi pas takimit me Putinin, tha se tregtia mes dy vendeve deri në vitin 2015 mund të arrijë një volum prej 100 miliardë dollarësh. Vitin e kaluar volumi i tregtisë bilaterale ishte 88,8 miliardë dollarë. Gjatë vizitës së Putinit në Kinë do të nënshkruhen 43 marrëveshje. Janë planifikuar projekte të përbashkëta për ndërtimin e një helikopterri dhe të një avioni pasagjerësh. Të dyja fuqitë bërthamore duan gjithashtu që të vendosin marrëveshje për manovra ushtarake. Veç kësaj është e mundur që Rusia por kërkon afrimin me Kinën, si një komb që synon të ekspandojë edhe në fushën e fluturimeve në hapësirë.