Rusia dhe SHBA nuk bien dakord për mbrojtjen raketore
12 Tetor 2007
Si ministrja e jashtme amerikane, Kondolisa Rajs, ashtu edhe homologu i saj rus, Sergej Lavrov i vlerësuan bisedat si efektive, por jo që hapin një epokë të re.
"Ne vazhdojmë që edhe më tej të mos jemi të të njëjtit mendim, për atë se si e vlerësojmë nga raketat e mundshme në vende të tjera",
tha Lavrovi.
Ndryshe nga Amerika, Rusia nuk beson në ekzistencën e sistemeve të rrezikshme raketore në Iran ose në Korenë e Veriut. Edhe nëse sisteme të tilla do të ekzistonin, do të ishte dukshëm më efektive që të përdorej bashkarisht sistemi paralajmërues i radarëve në Rusinë e Jugut dhe ai i radarëve në Gabala të Afganistanit, mendon pala ruse.
Ministri amerikan i mbrojtjes, Robert Gates bëri të qartë, se vërtet që këto dy sisteme radarësh do të bëheshin pjesë e një strategjie mbrojtëse. Por ato nuk janë alternativë ndaj pajisjeve të radarëve në Ceki dhe ndaj stacionit të mbrojtjes raketore në Poloni. Prandaj, me Cekinë dhe Poloninë do të zhvillohen edhe më tej negociata për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes raketore:
"Ne natyrisht që do ta shqyrtojmë preokupimin e palës ruse. Si përsa i përket qënies së sistemit të mbrojtjes raketore vetë, ashtu edhe përsa i përket kërcënimit konkret nga raketat e Iranit. Ne besojmë se mund t'i eleminojmë rezervat. Dhe këtë edhe do ta bëjmë."
Përgjigja e ministrit të jashtëm rus erdhi e menjëhershme dhe pa ekuivoke. Vetëm transparenca nuk mjafton, tha ai, dhe më tej:
"Kolegët tanë amerikanë na sigurojnë, që e ashtuquajtura unazë e tretë e mbrojtjes nuk është e drejtuar kundër Rusisë. Nga ana tjetër ata pranojnë, se për ne ekziston një rrezik potencial. Ne- presidenti ynë dhe përfaqësues të tjerë të Federatës Ruse- kemi thënë disa herë, se vetëkuptohet që ne do të marrim masa përkatëse, për ta neutralizuar këtë rrezik."
Që rusët nuk do të ngurojnë të marrin kundërmasa, këtë e kishte bërë të qartë presidenti Vladimir Putin që të premten në mëngjes. Ai pati kërcënuar se Rusia edhe mund ta braktiste të ashtuquajturën marrëveshje INF. Marrëveshja për çarmatimin e të gjitha raketave me rreze të mesme dhe me rreze të gjatë veprimi është lidhur 20 vjet më parë midis Rusisë dhe Amerikës.
Putini tha se nuk mund të ndodhë, që vende të caktuara në kufijtë e Rusisë të lejohen të ndërtojnë raketa, kurse Rusisë vetë kjo t'i ndalohej. Putini e parlajmëroi palën amerikane që të mos i sforcojë negociatat me Poloninë dhe me Cekinë, për aq kohë sa ende vazhdojnë bisedimet me Rusinë. Lavrovi dhe Rice do të takohen brenda gjashtë muajve të ardhshëm në Amerikë për bisedime të mëtejshme.