Rumsfeld falënderon Tiranën për angazhimin në koalicionin antiterror
27 Shtator 2006Për të falenderuar komandot shqiptare që janë përfshirë në misionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan, sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld u takua të martën me një grup prej tyre, si dhe familjarë e të afërm të ushtarakëvë që janë aktualisht me mision. „Ne vlerësojmë shumë kontributin tuaj për të mbrojtur lirinë“, iu drejtua atyre Rumsfeld, duke shtuar se „ajo që po bëni ju është historike. Nëse pas 5, 10 ose 20 vjetësh kur të ktheni kokën pas dhe të shikoni kontributin që ju keni dhënë, që Shqipëria ka dhënë, do të ndjeheni ndjeheni krenarë për çfarë keni bërë.“
12 komandove shqiptare dhe shefit të shtabit të ushtrisë shqiptare, gjen. kol. Pëllumb Qazimi ju akordua nga Pentagoni një medalje e veçantë e mirënjohjes „për kontributin dhe qëndrueshmërinë e palëkundur në luftën kundër terriorizmit“. Si homologu i tij, Fatmir Mediu ashtu dhe kryeministri Sali Berisha e presidenti Alfred Moisiu i kanë dhënë garanci shefit të Pentagonit se kontributi i Shqipërise në koalicionin antiterror do të vazhdojë.
Ministri i mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu tha se e kishte siguruar sekretarin Rumsfeld „se do të qëndrojmë në Irak derisa misioni të jetë përmbushur. Duam të jemi parnerë reale të forave ushtarake amerikane“. Një nga çështjet kryesore që ai po diskuton me autoritetet në Shqipëri është dhe procesi i anëtarësimit të vendit në Aleancen Veriatlantike. Ai është shprehur se vlerësimet jo-ushtarake janë po aq të rëndësishme dhe të domosdoshme për anëtarësim sa edhe ato ushtarake. Në mënyrë të veçantë ai ka përmendur domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit, si një element i rëndësishëm për anëtarësim, gjithashtu dhe forcimin e institucioneve, zbatimin e rregullave të ekonomise se tregut, pavarësinë e gjykatave etj.
Një zëdhënës i qeverisë tha se sekretari Rumsfeld në takimin me kryeministrin Berisha ka diskutuar gjithashtu dhe „për tërheqjen e angazhimin e investitorëve dhe biznesit amerikan në Shqipëri, reformat dhe inisiativat e marra nga qeveria në këtë drejtim, si dhe për ndihmën që SHBA i japin Shqipërisë nën Programin e Sfidës së Mijëvjecarit. Ndërkohë që gjatë bisedës me Rumsfeld, Presidenti Moisiu ka vlerësuar kontributin e trupave amerikane për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe rolin e SHBA, si dhe të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Moisiu ka rikonfirmuar qëndrimin e shtetit shqiptar se „zgjidhja e drejtë është një Kosovë sovrane dhe e pavarur, që respekton të drejtat e minoriteteve, që jeton në paqe e harmoni me fqinjët e saj dhe e integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike“.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld do të jetë prezent të mërkurën në takimin vjetor të ministrave të mbrojtjes të vendeve të Europës Juglindore që do të zhvillohet në Tiranë. Në takim do të marrin pjesë: Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Italia, Maqedonia, Rumania, Sllovenia, Turqia, Ukraina dhe SHBA me cilësinë e anëtarit të Nismës, ndërkohë që vende të tjera si Gjeorgjia, Bosnjë-Hercegovina e Serbia vijnë me pretendimin për të fituar statusin e “vëzhguesit” në këtë Nismë.