Rezistencë nga Kartumi kundër një misioni të OKB-së për Darfurin
9 Mars 2006Gjatë një serie takimesh i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme, Havier Solana, u përpoq të mërkurën (08:03) të gjejë një rrugëdalje nga kriza për rajonin sudanez të Darfurit. Zëvendëspresidenti sudanez Ali Osman Mohamed Taha, zëvendësministri i jashtëm Bob Zoellik, presidenti i Unionit Afrikan Alfa Oumar Konare dhe zëvendësekretari i përgjithshëm i OKB-së, Heidi Anabi, ndodheshin në Bruksel. BE-ja dhe ShBA duan ta vënë në lëvizje Sudanin që të lejojë një mision paqësor të OKB-së në rajonin e krizës Darfur, gjë që deri më sot e ka refuzuar kategorikisht qeveria sudaneze.
Bisedimet me zëvendëspresidentin sudanez Ali Osman Mohamed Taha, ashtu siç edhe pritej qenë të vështira: qeveria në Kartum nuk e pranon që në rajonin e Darfurit ka dëbime dhe dhunë të milicëve myslimanë kundër civilëve zezak afrikanë.
Sipas mendimit të shteteve perëndimore dhe OKB-së në tri vitet e fundit janë arratisur nga Darfuri dy deri në tre milionë njerëz. Qindra mijëra mendohet se janë vrarë. I ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme, Havier Solana, pas bisedimeve tha: "Ne jemi të një mendimi, se situata nuk mund të mbetet kështu siç është. Ne duhet ta mbështesim Unionin Afrikan. Eshtë e vërtetë që ndonjëherë nuk janë mbajtur premtimet ndaj Unionit Afrikan. Ne sërish japim premtimin."
Unioni Afrikan, një bashkësi e çlirët e shteteve afrikane, ka dërguar në Darfur një mision ushtarak prej 7.000 trupash, që vëzhgojnë situatën, por nuk mund të ndërhynë në mënyrë aktive. BE-ja e mbështet këtë trupë me para dhe logjistikë, por nuk ka dërguar ushtarë të saj në rajon. OKB-ja, ShBA dhe evropianët insistojnë tani, që trupa paqësore e Unionit Afrikan në këtë rajon gjigand të zëvendësohet nga një mision i armatosur më mirë nën flamurin e OKB-së. Këtë e hedh poshtë qeveria qendrore në Sudan. Zëvendëspresidenti Taha nuk bëri lëshime lidhur me këtë çështje gjatë bisedimeve në Bruksel.
Paralelisht me bisedimet në Bruksel mijëra vetë demonstruan në Kartum duke kërkuar tërheqjen e të gjithë të huajve. Ushtarët sudanezë marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit me thirrjet për betejë si "luftë e shenjtë, fitore dhe martirizim!"
ShBA akuzojnë qeverinë sudaneze për genocid në Darfur. Zëvendësministri i jashtëm Bob Zoellik tha në Bruksel, se problemi nuk mund të zgjidhet nga asnjëra palë e vetme. Trupat e Unionit Afrikan duhet të mbetet një komponente qendrore në misionin e ri të OKB-së.
Unioni Afrikan fillimisht e mbështeste shndërrimin e misionit në Darfur në një operacion të OKB-së, por tani ngurron nisur nga rezistenca masive e Sudanit. Të premten Komisioni për Sigurinë i Unionit Afrikan do të vendosë për kursin e mëtejshëm në mbledhjen që do të zhvillohet në Adis Abeba. Kryetari i Unionit Afrikan, Alfa Omar Konare tha, se parimisht nuk ka gjë kundër një partneriteti me OKB-në lidhur me çështjen e Sudanit: "Ne synojmë të hartojmë një plan kohor për zgjidhjen e konfliktit. Mbi bazën e këtij plani ne duam që të veprojmë më pas hap pas hapi. Unë jam i sigurtë, se ne së bashku me OKB-në do të gjejmë një rrugë, që të rrespektojë si Unionin Afrikan edhe OKB-në."
Megjithatë nga pala e OKB-së ende nuk ka qartësi. Këshilli i Sigurimit para pak kohësh nuk mundi të bjerë dakord për sanksione kundër politikanëve drejtues në Sudan. Rusia, Kina dhe antari jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit Katari i refuzuan këto masa. E diskutueshme mbetet nëse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, do të ketë shumicën për një rezolutë për krijimin e trupave helmtekaltra.
Gjendja në Darfur dhe në zonën kufitare me shtetin fqinj perëndimor Çad po shkallëzohet edhe më tej, vë në dukje Komisariati i OKB-së për Refugjatët. Ndërkohë rreth 200.000 njerëz nga Çadi janë kthyer në Sudan, sepse rebelët në Çad po luftojnë qeverinë e atjeshme.
Sipas vlerësimit të diplomatëve të BE-së do të duhen edhe disa muaj, derisa të gjendet një zgjidhje politike. Por sipas një diplomati "koha mungon, sepse çdo ditë në Darfur vdesin njerëz."