Republika Srpska: Konflikti i ri i Dodikut me shtetin?
3 Shtator 2025Qeveria e re e Republika Srpska (RS) u zgjodh mbrëmjen e së martës (2.9), dhe ministrat bënë betimin. Në qeveri ka katër emra të rinj: Zoran Stevanoviq, një ish-deputet i SNSD-së, Angjelka Kuzmiq, një përkthyese gjyqësore për gjuhën italiane, Goran Selak, dhe Borivoje Goluboviq.
Kryeministri i ri i RS është i bindur se ka krijuar një ekip të mirë. "I jam mirënjohës Presidentit Milorad Dodik për propozimin dhe deputetëve për besimin që kanë treguar. Vitin e ardhshëm, do të bëj çmos që RS të vazhdojë në rrugën e suksesit", tha Miniq.
Një nënshkrim i diskutueshëm
12 ministrat e tjerë mbeten në qeveri, me disa ndryshime. Opozita mori pjesë në debat, por u largua nga seanca para votimit, sepse nuk dëshiron të jetë pjesë e "një shfaqjeje për publikun dhe një thellimi të mundshëm të krizës institucionale".
"Ne kemi vendosur të mos marrim pjesë në këtë aventurë të SNSD-së. Ajo vazhdon të minojë institucionet e Republikës Srpska, sepse vendimet e marra në këtë Asamble Kombëtare nuk zbatohen dhe gjithçka i nënshtrohet një njeriu", thotë Ognjen Bodiroga, kreu i grupit parlamentar të SDS-së.
Opozita po e konteston nënshkrimin në dokumentin me propozimin e kandidatit presidencial, sepse ata besojnë se Milorad Dodik, të cilit iu hoq mandati presidencial nga KQZ-ja, nuk e ka këtë mundësi sipas Kushtetutës. Sipas tyre ai nuk ka të drejtë të nënshkruajë si president pasi KQZ i ka hequr këtë mandat.
Koalicioni qeverisës beson se mandati i Presidentit të RS mund të përfundojë vetëm përmes dorëheqjes ose shkarkimit nga detyra, dhe se situata aktuale është rezultat i vendimeve të imponuara nga Përfaqësuesi i Lartë.
Paralelisht me seancën në të cilën u zgjodh qeveria, një grup deputetësh në Asamblenë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës (B-H) paraqitën një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të B-H pikërisht për shkak të këtyre vendimeve.
"Ne besojmë se vendimet shkelin drejtpërdrejt dispozitat e Kushtetutës së B-H. Ne theksuam veçanërisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe KQZ-së janë përfundimtare dhe detyruese, dhe refuzimi i tyre përfaqëson një shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës", thuhet në një deklaratë të përbashkët nga 14 deputetë nga SDP B-H, Populli dhe Drejtësia, Partia Jonë dhe një klub i përzier.
Emërimi i kryeministrit
Disa avokatë besojnë se vendimi për ndërprerjen e mandatit të Milorad Dodik hyri në fuqi ditën kur u publikua vendimi i shkallës së dytë i Gjykatës së B-H-së, dhe jo ditën kur u dha vendimi i KQZ-së mbi ankesën. Në këtë kaos ligjor, një pjesë e publikut priste që kompetencat e presidentit t'i transferoheshin njërit prej nënkryetarëve.
"Megjithatë, ne jemi informuar se ai nuk e bëri këtë", thotë Zaga Grahovac nga Lista për Drejtësi dhe Rend. Fakti është se as deputetët dhe as publiku nuk morën një dokument zyrtar të nënshkruar nga Milorad Dodik, por ai u vu në dispozicion për shqyrtim më herët në një seancë të kolegjiumit.
Opozita është e bindur se Dodik ka shkelur në këtë mënyrë dispozitat ligjore dhe se vendimet e Asamblesë vetëm sa do të thellojnë krizën në RS
Probleme do të ketë edhe me përfaqësuesit e partive bosnjake në RS, ndaj është shumë reale që qeveria e re të gjendet para Gjykatës Kushtetuese.