Reagimet nga Tirana: Kosova të bëjë durim dhe për periudhën e negociatave shtesë
31 Korrik 2007Zhvillimet më të fundit për çështjen e përcaktimit të statusit të Kosovës si dhe vendimi për një periudhë shtesë 120 ditore për negociata të tjera mes serbëve dhe shqiptarëve po përcillen me reagime edhe nga klasa politike në Tiranë.
Ish-kryetari i komisionit parlamentar për politikën e jashtme, Sabri Godo, ka fajësuar për shtyrjen e marrjes së një vendimi përfundimtar në lidhje me statusin e Kosovës qëndrimin e palës ruse, e cila, sipas tij po kërkon "të riafirmohet si një fuqi e madhe në botë e doemos terreni i parë i përshtatshëm është Evropa. Për këtë rusët prej kohësh po mbajnë një qëndrim refraktar dhe absurd duke përdorur dhe veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-se".
Por gjithësesi përballë bërjes fakt të vendimit më të fundit të kancelarive përendimore për një shtyrje 120 ditore, kosovarët, sipas politikanit të njohur Sabri Godo, "të bëjnë durim dhe për periudhën e negociatave shtesë. Meqë këtë verdikt tashmë e kanë pranuar dhe SHBA dhe BE".
Ndërkohë për shefin e marrëdhënieve ndërkombëtare në partinë opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, shtyrja e vazhdueshme e vendimmarrjes për zgjidhjen e çështjes së Kosovës e cënon rëndë gjëndjen atje, për të cilen ka pasur vitet e fundit rezultate përgjithësisht positive, falë energjive të faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar për stabilitet e zhvillim. Këto shtyrje, sipas tij, kanë efekte negative dhe për rajonin.
Edmond Haxhinasto, që ka punuar për disa vjet në krye të ambasadës së Shqipërisë në Beograd mendon se "aktiviteti diplomatik i Tiranës zyrtare duhet të jetë më transparent dhe më intensiv me rritje cilësore në kushtet e reja që jane krijuar tashmë për çështjen e përcaktimit të statusit final të Kosovës”.