Reagimet ndaj fjalimit të presidentit amerikan Xhorxh Bush
11 Janar 2007Qeveria irakiane përshendeti planet e presidentit amerikan Xhorxh Bush për stabilizimin e vendit. Gjendja aktuale është e papranueshme, tha Sadik al Rikabi, një këshilltar i kryeministrit Nuri al-Maliki. Qeveria përshendet obligimet që marrin përsipër amerikanët për arritjen e suksesit. Në këtë mes e rëndësishme është që irakianët të marrin vet përsipër drejtimin e misioneve ushtarake. 'Plani amerikan nuk mund të ketë sukses pa ne', tha Rikabi. Fjalimi i Bushit është transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror irakian.
Për dallim nga Bagdati në Uashington planet e presidentit amerikan Xhorxh Bush janë kundërshtuar menjëherë nga demokratët, si për shembull nga senatori dhe kandidati i mundshëm për zgjedhjet presidenciale Barack Obama:
"Nëse ne besojmë që me 15 apo 20 mijë trupa shtesë do të dërgojmë sinjalin e duhur tek irakianët në vend se të fillojmë me një tërheqje të pjesërishme, atëherë ne do të bëjmë një gabim të madh. Dhe ne këtu në kongres do të shqyrtojmë mundësitë se si do të evitojmë një gabim tjetër të tillë pas gabimit fillestar për të filluar këtë luftë", tha Obama.
Britania e Madhe nga ana tjetër edhe pse përshendeti vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e trupave në Irak paralajmëroi se vetë nuk do të dërgoj ushtarë shtesë. Vendimi i presidentit Bush dhe miratimi i qeverisë irakiane tregojnë se të dyja palët duan të provojnë të stabilizojnë gjendjen shumë të rëndë posaçërisht në Bagdad, sqaroi ministrja e jashtme britanike Margaret Beket. "Ne e përshëndesim këtë dhe shpresojmë që përpjekjet e përbashkëta do të kenë sukses", shtoi shefja e diplomacisë britanike.
Edhe Britania e Madhe ka kohë që është duke provuar të përmirësojë gjendjen e sigurisë në rajonin e Basrës ku janë stacionuar ushtarët britanik por aktualisht nuk e kemi ndërmend të dërgojmë trupa shtesë, tha Beket. Britania e madhe ishte aleati kryesor politik dhe ushtarak i presidentit Bush në Irak para katër vitesh dhe aktualisht ka të stacionuar atje 7000 ushtarë.
Pala gjermane ndërkohë u tregua më e kujdesshme në deklarata sa i përket planeve të presidentit Bush. "Tingëllon e çuditshme nëse dikush nuk merr pjesë në rreziqe por del vetëm me këshilla nga jashtë", u shpreh koordinatori i qeverisë federale gjermane për bashkëpunimin gjermano-amerikan, Karsten Voigt për kanalin e parë televiziv gjerman ARD. Sidoqoftë Gjermania do të vazhdojë angazhimin e saj në rrafshin politik në Irak dhe vendet fqinje. Në këtë mënyrë Gjermania do të mbaj kontakte me Sirinë dhe Iranin me të cilat presidenti Xhorxh Bush refuzon bisedimet e drejtpërdrejta.
Ndërkaq eksperti për politikën e jashtme në grupin parlamentar të Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial Eckart von Klaeden në një intervistë dhënë radios gjermane Deutschlandfunk shprehu zhgënjimin që në fjalimin e Bushit nuk u dëgjuan sinjale të qarta:
"Unë kisha dëshirë që të dëgjoj një sinjal të qartë, se si vlerësohet gjendja në tërë rajonin dhe një sinjal edhe për vendet fqinje që të jenë më konstruktive në gjetjen e një zgjidhje në Irak. Unë dëshiroja që të përsëritej ftesa drejtuar Sirisë që ajo të jetë më konstruktive", tha von Klaeden.
Për dallim kryeministri australian Xhon Hovard lavdëroi strategjinë e re amerikane për Irakun. Megjithatë njëjtë si Britania e Madhe aleati i ngushtë i SHBA-ve nuk do të dërgoj vetë ushtarë të tjerë në Irak. "Presidenti kishte alternativën të paralajmëroj atë çfarë paralajmëroi apo të pranonte se perëndimi nuk mund të fitoj luftën në Irak", tha Hovard në Kanberra. "Presidenti zgjodhi opcionin e vetëm real", shtoi kryeministri australian. Sipas të dhënave të ministrit të jashtëm australian Aleksander Dovner, SHBA-të nuk kanë kërkuar nga qeveria australiane dërgimin e trupave shtesë në Irak. Aktualisht Australia ka të stacionuar atje 1300 ushtarë.
Në një artikull botuar sot në gazetën amerikane 'Nju Jork Tajms' në të cilën ndër tjera lexojmë fjalimi i Bushit vlerësohet: "Bush ju tha natën e kaluar amerikanëve se dështimi në Irak ishte një katastrofë. Katastrofë është lufta e Bushit dhe ai ka dështuar ndërkohë. Natën e kaluar ishte shansi i tij që të mos përkeqësoj gjendjen edhe më shumë por të jetë i sinqertë. Ai nuk e bëri këtë.
Amerikanët deshën të dëgjojnë qartë nga Bushi se si do t'i nxjerrë ushtarët amerikan nga kjo katastrofë të cilën e ka shkaktuar vet. Por ajo çfarë dëgjuan ishte një fjalim i pasubstancë mbi fitoren kundër terrorizmit dhe krijimin e një demokracie të re në Irak", shkruan në numrin e saj të sotëm 'Nju Jork Tajms'.