Qindra të vdekur pas tërmetit në Afganistan
1 Shtator 2025(E akt. deri në mesditë 01.09.)Deri më tani më shumë se 800 persona kanë humbur jetën në Afganistan pas tërmetit 6.0 ballë që tronditi një rajon kufitar me Pakistanin, zonë e vështirë për hyrjen e forcave të shpëtimit. Të dhënat vijnë nga Ministria e Brendshme e vendit. Epiqendra e tërmetit shtrihej në zonën e qytetit Xhalalabad në provincën Nangarhar. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë disa fshatra janë shkatërruar plotësisht. Qindra të lënduar janë dërguar në spitale, sipas Najibullah Hanif, zëdhënës i provincës. Sipas radios afgane, RTA ka më shumë se 1000 të lënduar. Pritet rritje e numrit të viktimave, sepse ende mendohet se shumë njerëz janë nën rrënoja.
Xhalalabadi është një zonë e rëndësishme kufitare me Pakistanin dhe një qytet i njohur për tregtinë, me një popullsi prej afërsisht 300.000 banorësh. Por shumë më tepër njerëz jetojnë në zonat përreth. Shumica e ndërtesave janë të ulëta, kryesisht të ndërtuara me beton dhe tulla, shtëpitë e ngritura me tulla balte dhe dru ndodhen në periferi.