Qeveria në Berlin: S'ka depozitim të mbetjeve atomike jashtë vendit
4 Janar 2013
Çështja e mbetjeve radioaktive nga material bërthamor është e diskutueshme. Gjermanët nuk e kanë fort të qartë, se ku duhet t'i depozitojnë përfundimisht me siguri të lartë mbetjet radioaktive nga materiali bërthamor. Në këtë drejtim mund të ndihmojë një direktivë e BE-së. Gazeta "Süddeutsche Zeitung" njofton, se qeveria do të krijojë bazën për një ekpsport të mbetjeve me radioaktivitet të lartë jashtë vendit. Ky opcion mundësohet vetëm me ndryshimin e ligjit përkatës për lëndët bërthamore. Sipas "Süddeutsche Zeitung" Ministria e Mjedisit në projektligjin e ndryshuar sheh mundësinë për depozitimin përfundimtar të mbetjeve radioaktive në depozita përkatëse jashtë vendit.
Një direktivë e BE-së me përmbajtje të ngjashme u miratua pas debatesh kontroverse në korrik 2012 nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Kjo duhet të harminzohet tani me të drejtën kombëtare të Gjermanisë. Shtetet e BE-së kanë rënë dakord mbi kriteret e detyrueshme për ndërtimin e depozitave përfundimtare për lëndë atomike dhe asgjësimin e mbetjeve radioaktive. Ndërtimi një depozite duhet të jetë i mundur edhe jashtë vendit. Prioritet megjithatë duhet të ketë depozitimi në vendet anëtare, në të cilat janë prodhuar mbetjet atomike. Sipas gazetës projektligji i reformuar gjerman nuk e përmban më këtë formulim.
Berlini: Përgjegjësia për mbetjet radioaktive mbetet në vend
Por qeveria federale gjermane i hodhi poshtë këto njoftime të medias. Sipas të cilave mbetjet atomike gjermane do të depozitohen jashtë vendit. Përgjegjësia gjermane për mbetjet atomike të prodhuara në vend vazhdon të mbetet e pandryshuar dhe kjo në masën 100 përqind, tha në Berlin zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert. Në këtë mënyrë ai reagoi ndaj njoftimit të gazetës "Süddeutsche Zeitung". Ministri gjerman i Mjedisit, Peter Altmaier u tregua optimist se deri në vitin 2030 do të jetë ngritur një depozitues përfundimtar kombëtar për mbetjet atomike. Ai tha, se kjo datë do të respektohet. Ai theksoi po ashtu se heqja dorë e Gjermanisë nga përdorimi i energjisë atomike është i pakthyeshëm.