080309
9 Mars 2009Rreth 400.000 vizitorë morën pjesë këtë vit në panairin e kompjuterave, CeBIT, rreth 20% më pak se vitin e kaluar. Megjithatë shefi i Panairit Gjerman AG, Ernst Raue, është i kënaqur:
"Në këto kohë një panair me përmasa të tilla globale është një arritje shumë pozitive në vetvete. Dhe pavarësisht nga numri i vizitorëve, panairi pati një efekt të madh për këtë sektor dhe për përdoruesit"
Përveç kësaj CeBIT-i e forcoi profilin si një platformë për intensifikimin e kontakteve të biznesit, thekson Raue. Edhe shefi i firmës BITCOM-it, August-Wilhelm Scheer, pohon:
" Prezantuesit tanë janë shumë të kënaqur. Shumica prej tyre kthehen nga ky panair me një dosje plot me porosi të reja. Ne po shfaqemi optimistë në mes të krizës dhe veprojmë si një faktor stabilizues, duke ndihmuar firma e tjera që të zgjidhin problemet e tyre. Pra përgjithësisht kemi një atmosferë shumë pozitive."
Megjithatë në disa salla të panairit ndjehej mungesa e vizitorëve. Claas Eimer, shefi i firmës nga Düsseldorfi comTeam, është i kënaqur me zhvillimet e panairit e megjithatë thekson se disa firma pjesëmarrëse ishin shumë të pakënaqura dhe se shkaqet për këtë pakënaqësi nuk kishin të bënin vetëm më krizën aktuale ekonomike:
"Ka disa pika që kishin të bënin vetëm më panairin. Për shembull firma që prodhon printerat e mi u ankua se organizatorët e panairit nuk ishin në gjendje të prezantonin të gjithë prodhuesit e printerave në një sallë. Me këtë veprim ata shkaktuan një pjesëmarrje të ulët të ekspertëve të këtij sektori. Kjo ka të bëjë më pak me krizën ekonomike, se sa me konceptin e disa prezantuesve të këtij panairi."
Por shefi i BITCOM-it, Scheer, nuk i pranon kritikat e tilla dhe thotë se ata që bëjnë një bilanc negativ duhet të pyesin më parë veten se çfarë bënë gabim këtë rradhë:
"Kishim edhe prezantues që nuk mbetën aq të kënaqur, por ata duhet të shohin dhe të analizojnë tani se cilat ishin arsyet. Nuk mund të vihet këtu me shpresat se vizitorët do të vinë vetë."
Në përgjithësi CeBIT-i ofroi tema aktuale dhe udhërrëfyese për të ardhmen, konkludon shefi i panairit Raue. Madje ai e vlerësoi këtë panair si një "vrasës të krizës". Si shembull ai përmendi teknologjitë e reja që kujdesen për mbrojtjen e ambientit, si Green IT, të cilat mund të kontribuojnë që industri të tjera të prodhojnë më lirë dhe duke shpenzuar më pak energji.