Për SHBA-në statusi i Kosovës duhet të zgjidhet brenda këtij viti
14 Prill 2006I ngarkuari i SHBA-së, në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner, tha se qëndrim i vendit të tij është se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet brenda këtij viti. Këtë deklaratë, Frank Wisner e bëri gjatë qëndrimit në Kosovë dhe takimeve që pati me udhëheqësit e institucioneve qëndrore.
"Mbetet qëndrim i SHBA-së, se statusi Kosovës duhet të zgjidhet dhe kjo zgjidhje duhet të bëhet brenda këtij viti. Statusi duhet të jetë e atillë që të prodhojë më shumë paqe stabilitet dhe prosperitet në rajon, në mënyrë që kjo pjesë e Evropës të integrohet në familjen perendimore Evropiane", tha Frank Wisner.
Qëndrimi i SHBA-së, sa i përket statusit të Kosovës sipas tij është në të njejtën linjë me qëndrimet e ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari. Pra që do të thotë se të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike, Kosovën duhet ta ndjejnë si vendin e tyre.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga ana e tij thotë se, autoritet e Prishtinës konsiderojnë se janë në rrugën e duhur në bisedimet për statusin, ndërsa në këtë linjë edhe do të vazhdojnë.
I ngarkuari i SHBA-së, në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner, tha se ka ardhur të realizoi një vizitë në rajon për të shprehur qëndrimin e SHBA-së, për statusin dhe për të siguruar mbështetjen e vendeve fqinjë të Kosovës për këtë proces. Ambasadori, Frank Wisner, gjatë vizitës në Kosovë do të takojë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga të cilët thuhet, se do të kërkojë që të marrin pjesë në institucionet e Kosovës dhe të integrohen në shoqërinë kosovare.