Për një botë pa mina
4 Prill 2006Po bëhen shtatë vjet që nga përfundimi i luftës, ndërsa rreziku nga minat në Kosovë akoma është i pranishëm. Prandaj autoritetet në Kosovë ato ushtarake dhe civile bëjnë thirrje për kujdes. Sot, në ditën ndërkombëtare për rrezikun nga minat, zyrtarë të TMK-së dhe forcat paqeruajtëse rifuqizuan fushatën për rrezikun nga minat, fushatë kjo që në Kosovë do të vazhdojë edhe gjatë viteteve të ardhshme. Janë shumë viktima që kanë pësuar nga minat dhe këto mjete vrasëse akoma përbëjnë kërcënim për popullatën në Kosovë. Shemsi Syla është zëdhënës i TMK-së, trupë kjo që shumë nga njësitë e saja i ka të angazhuara në deminimin e mjeteve shpërthyese. Ai është i mendimit, se për të evituar rreziqet në tërësi kanë munguar mjetet.
Shumë fusha të minuara në Kosovë tashmë janë pastruar nga minat, mirëpo, ka edhe shumë të tjera të papastruara dhe që përbëjnë ende rrezik potencial për qytetarët.
Në mediat e këtushme elektronike dhe të shkruara, por edhe me pankarta të vendosuara gjithandej rajoneve të Kosovës, vazhdon fushata për rrezikun nga minat. Fushata në mënyrë të veçantë është përqendruar tek fëmijët nxënësit, të cilët konsiderohen më të rrezikuarit nga minat. Sot, në ditën ndërkombëtare për rrezikun nga minat, zyrtarë të administratës së UNMIK-ut, thonë se, qëllim i të gjithëve duhet të jetë largimi i milionave minave tokësore. Kjo punë kërkon përpjekje të vazhdueshme, kërkon ndihmën e donatorëve por edhe të publikut të gjerë. Motoja e fushatës për rrezikun nga minat është një botë pa mina dhe mjete shpërthyese, përpjekje kjo që duhet konkretizuar brenda vitesh e jo dekadash.