Putini i quan trupat perëndimore një "objektiv legjitim"
5 Shtator 2025Presidenti rus Vladimir Putin e paralajmëroi fort perëndimin lidhur me dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë. "Nëse trupat shfaqen atje, ne supozojmë se ato do të jenë objektiva legjitime për shkatërrim", tha Putini në një forum ekonomik në Vladivostok. Putini theksoi se dërgimi i trupave perëndimore nuk do të ishte i favorshëm për paqen afatgjatë. Nëse do të merreshin vendime në lidhje me një paqe të qëndrueshme, "thjesht nuk shoh asnjë kuptim" për praninë e trupave perëndimore në Ukrainë.
Pas diskutimeve të "Koalicionit të të Gatshmëve" të zhvilluar të enjten (05.08), Presidenti francez Emmanuel Macron tha se 26 vende ishin zotuar të "dërgonin ushtarë si pjesë të një force sigurie për ta ruajtur Ukrainën nga toka, deti ose në ajër".
Edhe Moska kërkon garanci nga NATO-ja
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti se dërgimi i trupave të huaja nuk është i pranueshëm për vendin tonë. "A mund të sigurojnë dhe garantojnë kontingjentet ushtarake të huaja, veçanërisht ato evropiane dhe amerikane, sigurinë e Ukrainës? Absolutisht jo", tha ai.
Peskovi kërkoi gjithashtu garanci sigurie për Rusinë. "Sigurisht, garanci sigurie duhet t'u jepen si Ukrainës ashtu edhe neve", tha ai. Peskovi vuri në dukje zgjerimin e NATO-s drejt kufirit rus si arsyen e supozuar për luftën kundër Ukrainës dhe kërkoi garanci për Rusinë në këtë drejtim.