Putin e konsideron si kërcënim sistemin e ShBA për mbrojtjen nga raketat
28 Prill 2007Pas një takimi me kolegun e tij çek Klaus, Putin tha, se kërcënimi përmes sistemit të raketave është i njëjtë me atë të raketave atomike Pershing të viteve 80-të.
Në komentet e shtypit gjerman mendimet janë të ndara:
Gazeta e Maincit "Allgemeine Zeitung" komenton: "Pavarësisht nga moti i nxehtë aktualisht mes Moskës dhe Uashingtonit mbizotëron akulli. Kjo erdhi pasi presidenti rus Putin, që tashmë nuk mjaftohet vetëm me kërcënime, por për të theksuar indinjatën e tij mbi planet e ShBA për sistemet e mbrojtjes nga raketat në Çeki dhe në Poloni pezullon marrëveshjen evropiane për çarmatimin. E gjitha kjo tingëllon si fort kërcënuese, por nuk është kështu. Sepse Putin vepron sipas motos "kapeni hajdutin!". Sistemin e mbrojtjes nga raketat tani duhet që ta diskutojnë të gjithë, edhe gjermanët, me objektivitetin dhe maturinë e duhur. Ndërsa indinjata artificiale duhet t´i lihet Moskës."
Edhe e përditshmja "Esslinger Zeitung" këshillon: "NATO do të bënte mirë, që të reagojë relativisht e çlirët ndaj atakimeve të Moskës. Ndërsa Putin duhet të tërhiqet prej konfrontimeve verbale. Sepse askush s´mund ta besojë seriozisht, që nja dy raketa mbrojtëse të drejtuara kundër Iranit dhe Koresë së Veriut në Poloni e në Çeki mund të kërcënojnë sigurinë e Rusisë, aq më tepër që dislokimi i tyre ende nuk është shpallur qartë."
Në komentin e "Mitteldeutsche zeitung" që botohet në Halle lexojmë: "Duhet folur gjerë e gjatë për sistemin e mbrojtjes nga raketat të ShBA në shtetet lindore fiqnje. Por për aq kohë sa nuk mund të jetë e sigurtë, që Irani dhe shtete të tjera nuk posedojnë raketa me reze të gjatë veprimi, është legjitime që të mendohet për masat mbrojtëse. Nëse dje Putin dhjetë raketat mbrojtëse pa koka shpërthyese i krahasoi me raketat Pershing të viteve 80-të, kjo të lë të kuptosh, që ai parimisht nuk do të diskutojë për këtë projekt. Një veprim i tillë është jo serioz. Megjithatë është e qartë, që për Perëndimin nuk është e udhës që me gjeste të mëdha ta vendosë Moskën para faktesh të kryera. Kjo do të thoshte mbivlerësim i forcave të veta."
Ndërsa "Kieler Nachrichten" shprehet për një pozicionim më të qartë të Perëndimit dhe të qeverisë gjermane: "Eshtë e kuptueshme, që kancelarja nuk do t´i hedhë më shumë benzinë zjarrit dhe e nxjerr zëdhënësin qeveritar me deklarata të vakëta. Por edhe sa kohë do t´i lihet fusha e lirë presidentit rus për të shpalosur dredhitë e tij propagandistike? Putin përpiqet ta bëjë Rusinë sërish të fortë dhe të madhe. Ai pengon lëvizjet demokratike në Gjerogji dhe në Ukrainë. Ai i mundon estonezët, sepse guxojnë të heqin një monument të luftës nga koha e sovjetikëve. Perëndimi ngurron të reagojë si duhet. Një qëndrim i tillë është servilizëm i puro."
Ndërsa me e matur është në komentin e saj "Nürnberger Zeitung" që nxjerr në pah edhe argumentat pozitive të Moskës në këtë konflikt: "Rusia nuk indinjohet fare me pa të drejtë, dhe Perëndimi duhet të ketë më shumë mirëkuptim për ndjenjën e kërcënimit të Moskës. Ndonëse kjo instrumentalizohet atje. Putin përpiqet të ushtrojë presion, por ai nuk i kthen fjalët në vepra. Madje as pezullimi i marrëveshjes së çarmatimit nuk është vendosur."