Putin-Bush: Bisedime të hapura dhe konstruktive
7 Shtator 2007Presidenti amerikan Bush u takua sot në Sidnei me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Mësohet se ndërtimi i sistemit mbrojtës antiraketor ka mbizotëruar bisedimet dypalëshe. Pas takimit presidenti rus u shpreh se ekspertë të dy vendeve do të vëzhgojnë një sistem me radarë në Azerbajxhan. Putini ishte optimist për një dinamikë të re të marrëdhënieve amerikano-ruse. Madje ai shpreson edhe për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit atomik me Iranin tha Putin pas takimit me presidentin Bush: "Diskutuam problemin atomik iranian. Dua të theksoj se Rusia dëshiron të punojë me partnerët e tjerë në Agjensinë Ndërkombëtare Atomike dhe OKB për zgjidhjen e këtij konflikti. Gjithashtu dua të falënderoj presidentin Bush për bisedën e hapur dhe mjaft konstruktive. Nga kjo mund të konkludojmë se edhe marrëdhëniet mes të dy vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen në frymë pozitive."